LAJMI I FUNDIT:

Vihet gurëthemeli i “Shtëpisë Muze” në lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicë

Vihet gurëthemeli i “Shtëpisë Muze” në lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicë

Në ‘Shtëpinë Muze’ që ndodhet në ‘Lagjen e boshnjakëve’ në veri të Mitrovicës, sot është shënuar Dita e të pagjeturve dhe martirëve, ku janë përkujtuar 116 të pagjeturit shqiptarë nga rajoni i Mitrovicës, si dhe 620 martirë të vrarë në luftën e fundit në Kosovë.

Në këtë aktivitet të pranishëm ishin, kryetari i komunës, Agim Bahtiri, nënkryetari, Faruk Mujka, zv.ministri i MMPH-së, Gjergj Beka, këshilltari i kryeministrit Haradinaj, Jahja Lluka, drejtorë komunal, kryetari i organizatës “Zëri i Prindërve”, Bajram Çerkini, familjarë të të pagjeturve e martirëve, si dhe qytetarë të shumtë.

Në fjalën e tij, kryetari i komunës, Agim Bahtiri, pasi ka përshëndetur të pranishmit dhe familjarët e të rënëve, ka thënë se ata do të kujtohen çdo herë sepse janë njerëzit më të devotshëm të këtij vendi të cilët i kontribuuan lirisë sonë.


“Sot 20 vite ka ndodhur kjo masakër makabër ku shumë viktima pësuan në shtëpitë e tyre dhe në trojet e tyre. Me njerëzit me të cilët kemi jetuar dhe kemi punuar së bashku dhe në fund të ndodh një gjë e tillë këtë mund ta bëjë vetëm nacionaliteti serb. Ky muaj është më i vështiri për ne pasi që kujtojmë shumë të rënë por njëkohësisht jemi edhe shumë krenar. Ne sot do të bëjmë edhe gurëthemelin e Shtëpisë Muze për ti nderuar të gjithë të rënët dhe kjo të jetë pasqyrë e asaj çfarë ka ndodhur vite më parë për ne dhe të gjithë gjeneratat e ardhshme”, tha Bahtiri.

Po ashtu, kryetari Bahtiri falënderoi Qeverinë e Kosovës e cila ka ndarë mjetet për ndërtimin e Shtëpisë Muze, ku do të përmblidhet e tërë historia e cila kishte ndodhur 20 vite më parë.

Jahja Lluka, këshilltar i kryeministrit të Kosovës për çështjen e personave të zhdukur, tha se Mitrovica sot ka shumë dhimbje e lot, por edhe pas 20 viteve është krenare e stoike.

“Sot kemi dhimbje ne dhe e gjithë Kosova për të gjithë të rënët, pasi që kemi të bëjmë me njerëz të pafytyrë dhe të paturpshëm që kryen këtë masakër. Mirëpo Qeveria e Kosovës është e vendosur për të krijuar kushte për të gjithë ata të cilët ja falën bijtë dhe bijat më të mirat e këtij vendi. Dhe sa i përket çështjes së të zhdukurve jemi duke e ndryshuar ligjin që familjarët e tyre të gëzojnë së paku një pension të pleqërisë diçka që me ligjin e vjetër nuk e kishin”, tha këshilltari i kryeministrit, Jahja Lluka.

Pastaj kryetari Bahtiri, së bashku me përfaqësuesit komunal, familjarë të të pagjeturve e të martirëve, dëshmorëve, veteranëve dhe invalidëve të luftës, përfaqësues të institucioneve, si dhe një numër i qytetarëve, kanë vendosur lule pranë pllakës me emrat e martirëve si dhe është vënë gurëthemeli i “Shtëpisë Muze. /Telegrafi/