Venezuelë, balsamosja e Chavez, e pamundur!

Më herët, Maduro kishte sugjeruar që ai të balsamosej dhe të vihej për demonstrim si Lenini, Ho Chi Minh dhe Mao Ce Duni.
Maduro shtoi se ekspertët rusë thanë se kjo gjë është pothuajse e pamundur, pasi trupi nuk u përgatit në kohë dhe tashmë paraqet kompleksitete.
Ndërkohë, periudha zyrtare e zisë është shtyrë deri të premten. Pas vdekjes së presidentit, më 5 mars, qeveria deklaroi 7 ditë zie zyrtare. Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara mbajti një minutë heshtje për Chavezin gjatë të mërkurës.
Maduro, i cili garon për president në zgjedhjet e 14 prillit, komentoi mbi balsamosjen e liderit të vdekur, gjatë një fjalimi.
“Shkencëtarët rusë dhe gjermanë mbërritën për të balsamosur Chavezin, por na thanë se është shumë e vështirë, sepse procesi duhej të kishte nisur më herët, menjëherë, pasi tani është e pamundur. Ne jemi në mes të procesit, i cili është i komplikuar”, tha ai për turmën, transmeton Top Channel.
Më herët, presidenti i përkohshëm tha se u zbulua një komplot për të vrarë liderin e opozitës, kandidat rival për zgjedhjet presidenciale, Henrique Capriles. Maduro tha se qeveria do të bënte gjithçka, që kundërshtari i tij të kishte mbrojtje policore.
Ministri i Naftës, Rafael Ramirez, tha për BBC se Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli duheshin fajësuar për vdekjen e Chavez. Ai tha se shpreson që komisioni special do të zbulojë evidenca.
Në një intervistë për BBC në Karakas, Ramirez tha se nuk kishte dyshime, se vdekja e Chavezit ishte një akt konfrontimi dhe i ngjashëm me atë të Yasser Arafatit. /Telegrafi/




















































