LAJMI I FUNDIT:

Vendimi për vizat, në rend dite të mërkurën në Bruksel

Vendimi për vizat, në rend dite të mërkurën në Bruksel

Miratimi i vendimit për liberalizimin e vizave për Kosovën pritet të jetë të mërkurën në rend dite në takimin e ambasadorëve të BE-së, në Bruksel.

Në takimin e këtij grupi, të njohur si Coreper, vendimi pritet të miratohet pa diskutim, pasi për tekstin e tij, vendet anëtare të BE-së janë pajtuar më 22 nëntor, në një takim të këshilltarëve për çështje të brendshme dhe drejtësi.

Teksti është përpiluar nga Çekia, e cila ka udhëheqjen aktuale të BE-së, pas disa takimeve të grupeve punuese dhe diskutimeve dypalëshe me vendet që kanë pasur vërejtje.


Sipas versionit të fundit, në të cilin ka pasur qasje Radio Evropa e Lirë, lëvizja pa viza për qytetarët e Kosovës do të jetë e mundur kur të hyjë në fuqi sistemi evropian i udhëtimit, ETIAS, dhe data për këtë është 1 nëntori i vitit 2023.

Por, në rast se do të ketë vonesa për këtë sistem, liberalizimi i vizave për Kosovën do të hyjë në fuqi jo më vonë se më 1 janar të vitit 2024.

Deri atëherë, Kosova duhet të synojë të ketë “marrëveshje apo aranzhime” për riatdhesim me ato vende të BE-së, me të cilat nuk i ka.

Kosovës, po ashtu, i kërkohet të vazhdojë të përshtasë politikën e saj të vizave me atë të BE-së, ndërkohë që i mbetet të kalojë edhe nëpër disa procedura të tjera që i kërkojnë vendet anëtare.

Vendimi që do të dalë të mërkurën në rend dite, ka qenë fillimisht i paraparë të votohet më 23 nëntor.

Ai është hequr nga agjenda, për shkak të tensioneve në Kosovë që ka nxitur një vendim i Qeverisë së vendit për t’i riregjistruar makinat me targa të paligjshme serbe.

Ndërkohë, Kosova dhe Serbia, me ndërmjetësimin e BE-së, kanë arritur marrëveshje për çështjen e targave.

Krahas tekstit për liberalizimin e vizave për Kosovën, Çekia ka bërë edhe një deklaratë, me të cilën vendeve anëtare të BE-së u kërkohet që të bëjnë çmos që sistemi ETIAS të jetë funksional në datën e caktuar, përkatësisht më 1 nëntor të vitit të ardhshëm.

ETIAS kërkon që qytetarët e huaj, të cilët udhëtojnë pa viza në territorin e BE-së, t’i regjistrojnë të dhënat e tyre në këtë sistem para udhëtimit.

Franca ka qenë shteti që ka këmbëngulur më së shumti që hyrja në fuqi e liberalizimit të vizave për Kosovën, të lidhet me funksionalizimin e ETIAS-it, duke thënë se ai është i rëndësishëm për rritjen e sigurisë së vendeve anëtare.

Liberalizimi i vizave do t’u mundësojë qytetarëve të Kosovës të udhëtojnë lirshëm në atë që njihet si zona Schengen, e që përbëhet prej 26 shtetesh evropiane.

Kosova, aktualisht, është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e të cilit nuk mund të lëvizin lirshëm në këtë zonë.

Kjo, përkundër faktit se Komisioni Evropian, qysh në vitin 2018, ka konfirmuar disa herë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave, por kanë qenë disa vende anëtare që vazhdimisht kanë shprehur rezerva. /REL/

Në trend Lajme

Më shumë
Tre persona të plagosur në Klinë, njëri në gjendje të rëndë

Tre persona të plagosur në Klinë, njëri në gjendje të rëndë

Kronika e Zezë
Mashtrimi me pension invaliditeti në Zvicër, gruaja nga Kosova përfitoi pa të drejtë 173 mijë franga

Mashtrimi me pension invaliditeti në Zvicër, gruaja nga Kosova përfitoi pa të drejtë 173 mijë franga

Sociale
Mbyllja e qendrave ilegale për punë sociale në veri, analistët paralajmërojnë për raportet me SHBA-në

Mbyllja e qendrave ilegale për punë sociale në veri, analistët paralajmërojnë për raportet me SHBA-në

Lajme
Abdixhiku: Fitorja e CDU-së në Gjermani, një mundësi e re për Kosovën

Abdixhiku: Fitorja e CDU-së në Gjermani, një mundësi e re për Kosovën

Politikë
Hoxhaj pas fitores së CDU/CSU-së në Gjermani: Lajm i mirë për Kosovën dhe Evropën

Hoxhaj pas fitores së CDU/CSU-së në Gjermani: Lajm i mirë për Kosovën dhe Evropën

Lajme
Nga ngrohja në Prishtinë te infrastruktura, si po ndikon pezullimi i fondeve të BE-së për Kosovën

Nga ngrohja në Prishtinë te infrastruktura, si po ndikon pezullimi i fondeve të BE-së për Kosovën

Lajme
Kalo në kategori