LAJMI I FUNDIT:

Vazhdon problemi me transportin në Tetovë

Vazhdon problemi me transportin në Tetovë

Nga Komuna e Tetovës theksojnë se mosnënshtrimi i kontratës është pasojë e çmimit të lartë që kërkojnë kompanitë. Ministria e Arsimit ka ndarë 60 milionë denarë për transport të nxënësve, kurse me këtë çmim nuk pajtohen kompanitë, njofton Koha.mk

Vazhdon edhe më tej problemi me transportin e nxënësve në shkollat e mesme të Tetovës. Komuna dhe transportuesit ende nuk janë dakorduar dhe nuk kanë nënshkruar kontratën për transportin e nxënësve. Përderisa këta dy palë ende nuk bien në ujdi, nga ana tjetër raportohet se kjo ka ndikuar që një pjesë e nxënësve të mos udhëtojnë për në shkollë. Problemet me transportin i konfirmojnë edhe në shkollat e mesme të Tetovës, në shkollën Tekstile dhe në shkollën e mjekësisë.

“Problemi qëndron në faktin se ndonëse ka kaluar faza e tenderimit, për shkaqe teknike, akoma nuk është nënshkruar kontrata me autotransportuesit. Kjo reflektohet me mosardhjen e nxënësve në procesin mësimorë, kurse ata që vijnë përcjellin shqetësimet dhe ankesat e prindërve, sepse transportuesit tjerë i bartin me pagesë, kur dihet se transporti është siguruar pa pagesë për nxënësit e shkollave të mesme”, deklaroi Abaz Abazi, drejtor i shkollës së mesme Tekstile në Tetovës.


Në shkollat tjera të mesme në Tetovës, thonë se rreth 90 për qind e nxënësve vijnë në shkollë, kurse pjesa tjetër mungojnë për shkak të mos pasjes së transportit. Në ndërkohë, nga Komuna e Tetovës, theksojnë se për shkak të çmimit të lartë që kërkojnë kompanitë për nënshkrimin e kontratës, ka ardhur deri tek mos nënshkrimi. Sipas Komunës së Tetovës, Ministria e Arsimit ka ndarë 60 milionë denarë për transport të nxënësve, kurse me këtë çmim nuk pajtohen kompanitë.

“Vendimi i shkollave iu është dërguar kompanive që të hënën e kaluar, afati i ankesave ka përfunduar dhe ne jemi në pritje të nënshkrimit të kontratave. Nuk kam njohuri për ankimin nga kompanitë në lidhje me procedurën apo furnizimin. Prej fillimit të vitit e deri më tani procesi është zhvilluar pa ndërprerë dhe nxënësit që kanë munguar nëpër shkolla, e kanë paraqitur me arsyetim për mungesë të transportit. Nuk ka ndërprerje të kontratave, sepse është një furnizim i ri që ka filluar që nga muaji qershor dhe që ka përfunduar para përfundimit të vitit shkollor dhe në suaza të kompetencave ligjore të cilat i kanë shkollat, pra janë duke vepruar në kuadër të këtyre kompetencave për furnizime publike dhe transport të nxënësve”, deklaroi Ahmed Qazimi udhëheqës i Sektorit për arsim në Komunën e Tetovës.

Deri kur do të zgjasë kjo situatë nuk dihet, ndërsa nga ana tjetër nxënësit gjegjësisht vet prindërit janë të detyruar që të paguajnë transportin./Telegrafi/