Të premten, më 17 tetor, në orën 17:00, në sheshin “Skënderbej” në Tiranë do të zhvillohet një protestë gjithëkombëtare në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Organizimi i kësaj proteste ka shkaktuar përplasje verbale mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, transmeton Telegrafi.


Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, në reagimin e tij i është përgjigjur kryeministrit Edi Rama, i cili sot të martën deklaroi se nuk është në asnjë lloj gare me Lëvizjen Vetëvendosje dhe i vjen keq që Lëvizja i ngatërron marrëdhëniet institucionale të Kosovës me Shqipërinë në çorbën e balotazheve komunale.

Manxhuka ka pohuar se "kryeministri Rama mund të përpiqet të nxirret me eskivazhe të padenja e përshtypje personale, ose mundet edhe të adresojë dhe përgjigjet shkurt e saktë në pikat kryesore që përmban deklarata e Lëvizjes VETËVENDOSJE".

"Më konkretisht ai mund të tregojë:1. Ka ardhur apo jo me helikopter në Kosovë për të bindur deputetët e Kuvendit të Kosovës që ta votojnë themelimin e Gjykatës Speciale? Pra, a e ka mbështetur dhe shtyer ai themelimin e Gjykatës Speciale? 2. Cili ka qenë dhe vazhdon të jetë qëndrimi i LVV rreth Gjykatës Speciale? E ka votuar dhe mbështetur, apo e ka refuzuar dhe është përndjekur duke protestuar kundër themelimit të saj?3. Në cilat raste dhe në cilat data, në cilat organizata ndërkombëtare ku Shqipëria është anëtare me të drejta të plota, apo pjesëmarrëse në takimet zyrtare, Rama ka ngritur shqetësimet e tij rreth padrejtësisë që po i bëhet Kosovës në Hagë?", shkroi Manxhuka.

Tutje, ai ka pyetur se "Kur i ka ngritë këto shqetësime në OKB, kur në Këshillin e Evropës, kur në OSBE dhe kur në NATO?Të tjerat janë vetëm për konsum personal e madje as për konsum të brendshëm politik".

Ndryshe, tutje, kryeministri shqiptar, Edi Rama shkruan se nuk është as organizator e as folës i protestës gjithëkombëtare “Drejtësi për Çlirimtarët”, por të cilën e mbështet me gjithë zemër.

“....unë as nuk jam organizator e as nuk jam folës i protestës gjithëkombëtare ‘Drejtësi për Çlirimtarët’, të cilën e mbështes megjithë zemër e do t’i bashkohesha si pjesëmarrës i thjeshtë, nëse nuk do të isha i vetëdijshëm se çdo politizim me dashje ose jo i asaj nisme, do të dëmtonte qëllimin dhe popullaritetin e saj”, tha Rama. /Telegrafi/