Reprezentacioni i vajzave volejbolliste nga Komuna e Pejës do të përfaqësojë këtë komunë në Festivalin Ndërkombëtar të Sporteve, i cili do të mbahet në komunën Nilüfer të Turqisë.

Ky festival, i cili organizohet tradicionalisht çdo vit nga Nilüfer Belediyesi, mbledh pjesëmarrës nga komuna të ndryshme të botës dhe ka për qëllim promovimin e sportit, shkëmbimit kulturor dhe fuqizimit të të rinjve përmes aktiviteteve sportive.


Përfaqësimi i vajzave nga Peja është rezultat i përkushtimit të Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport të Komunës së Pejës, e cila për vitin 2025 e ka vendosur në prioritet masovizimin e sporteve tek vajzat, si pjesë e strategjisë për zhvillimin e sportit dhe përfshirjen e barabartë gjinore në aktivitete sportive.

Pjesëmarrja në këtë festival jo vetëm që do të jetë një përvojë ndërkombëtare për volejbollistet e reja, por gjithashtu shërben si model për inkurajimin e vajzave tjera në komunitet që të merren me sport./Telegrafi/