Ukrainasi që e vëren stagnimin shqiptar, përmes njerëzve që rrinë në kafe - veshur me kostum

Nga: Ben Blushi
Nikita Savin është nga Ukraina. Kur filloi lufta erdhi në Orikum. Aty jeton në një vilë me qira.
- Si erdhe në Shqipëri Nikita?
- Fillimisht shkova në Portugali,
- Po pastaj?
- Aty s’më pëlqeu, erdha këtu,
- Si të duket Shqipëria?
- Vend tradicional.
- Pse të duket tradicional?
- Duket si Ukraina e viteve 1990.
- Po pse duket si Ukraina e viteve 1990?
- Sepse ka një zhvillim të ngadalshëm.
- Ku e ke parë zhvillimin e ngadalshëm?
- Njerëzit rrinë në kafe të veshur me kostum.
- Dhe kur njerëzit rrinë në kafe veshur me kostum, vendi është i ngadalshëm?
- Këtu marrëveshjet bëhen me një të shtrënguar dore.
- Dhe kjo është tradicionale?
- Kjo tregon se në Shqipëri reputacioni ka ende vlerë.
- Ti çfarë pune bën?
- Jam programer softuerësh.
- Sipas teje pse po ndodh kjo luftë?
- Është një luftë mes botës së vjetër dhe botës së re.
- Kush është bota e vjetër?
- Anglezët dhe amerikanët.
- Po bota e re?
- Rusia, Kina, India, Brazili.
- Po pse lufta mes dy botëve po bëhet në Ukrainë?
- Diku do shpërthente, mund të ishte edhe India apo Pakistani.
- Po atëherë pse Ukraina?
- Sepse India dhe Pakistani ka armë bërthamore, Ukraina nuk ka.
- Si përfundon kjo luftë?
- Rusia ndahet.
- Çdo të thotë: Rusia ndahet?
- Kina do i marrë Siberinë, Japonia do i marrë disa ishuj, Rusia do copëtohet si në kohën e Bashkimit Sovjetik.
- Po me Ukrainën çfarë ndodh?
- Do mbijetojmë.
- Nga je me origjinë?
- Babai nga Siberia, nëna nga Uzbekistani.
- Pra, je gjysmë rus?
- Si shumica e ukrainasve.
- Sa fëmijë ke?
- Katër.
- Këtu shoh vetëm tre.
- Këta të tre i kam me gruan e parë.
- Ke dhe një grua tjetër?
- Aktualisht po.
- Pse je ndarë?
- 90 për qind e martesave të sotshme përfundojnë me divorc.
- Po gruaja e dytë pse nuk është me ty?
- Ka disa arsye.
- Më thuaj një.
- Është ne Paris me nënën dhe vajzën tonë.
- Po arsye e dytë?
- Nuk ka qejf të jetojë më fëmijët e mi nga martesa e parë.
- Ka edhe një arsye të tretë?
- Pa e mbushur shtëpinë me pasqyra nuk vjen.
- Çfarë i duhen kaq shumë pasqyra?
- Është balerinë
- Ti je martuar me një balerinë?
- Tani është mësuese vallëzimi.
- Sa kile je Nitika?
- 175.
- Po si të ka marrë balerina për burrë?
- Për këtë grindem çdo ditë me gruan.
- Çfarë kërkon ajo?
- Të shkoj në 120 kile.
- Mund ta bësh?
- Para pesë vitesh isha 90 kile.
- Po para 10 vitesh?
- 195.
- Kaq shumë ha?
- Nuk shëndoshem nga ushqimi.
- Po nga se shëndoshesh?
- Nga qëndrimi në kompjuter dhe nga stresi.
- Ke stres?
- Stresi disa njerëz i acaron, disa i dobëson, mua më shëndosh.
- Si mund të jetosh me këtë peshë?
- Jetoj.
- A noton?
- Notoj.
- I jep makinës?
- I jap.
- A ngjitesh dot në kat të tretë?
- Ja tani do ngjitem.
- Pse do ngjitesh?
- Do vendos pasqyrat e palestrës së gruas.
- Pra, ti po vendos pasqyra që gruaja të shihet kur kërcen?
- Sigurisht.
- Po ti kërcen?
- Nuk e kam shumë qejf.
- Po nëse gruaja të kërkon të kërcesh?
- Prandaj do dobësohem.
- Sa kohë ke që të dobësohesh?
- Besoj një muaj.
- Me kirurgji?
- Jo me kërcim.
- Për një muaj do heqësh 50 kile nga trupi?
- S’kam ç’bëj, ndryshe do më lërë.
- Po ti do martohesh prapë?
- Nuk e përjashtoj.
- Më mirë të ndahesh apo të kërcesh?
- Ti si thua? - tha Nikita.
- Më mirë të ndahesh - thashë unë.
- Më mirë të kërcej - tha Nikita.


































