Ukraina do të punojë me Shtetet e Bashkuara drejt një teksti të pranueshëm reciprokisht të një marrëveshjeje për mineralet që të dy vendet mund të nënshkruajnë, tha të martën ministri i Jashtëm ukrainas Andrii Sybiha.

Sybiha tha në një konferencë shtypi se një raund konsultimesh ishte zhvilluar tashmë për një draft të ri të marrëveshjes së mineraleve dhe se një marrëveshje që siguron një prani të fortë të biznesit amerikan në Ukrainë do të kontribuonte në infrastrukturën e sigurisë së vendit të tij, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.


“Ky proces do të vazhdojë dhe ne do të punojmë me kolegët tanë amerikanë për të arritur një tekst të pranueshëm reciprokisht për nënshkrim”, citohet të ketë thënë Sybiha.

Deklarata erdhi pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha të dielën se presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dëshiron të tërhiqet nga marrëveshja, duke paralajmëruar se udhëheqësi ukrainas do të përballet me probleme të mëdha nëse e bën këtë.

Uashingtoni i propozoi Kievit një marrëveshje të zgjeruar për mineralet pasi të dy palët dështuan në nënshkrimin e marrëveshjes kornizë gjatë vizitës së Zelenskyt në SHBA në fund të shkurtit, e cila përfundoi me “qortimin” e Trump në Zyrën Ovale.

Propozimi i rishikuar do të kërkonte që Kievi t'i dërgojë Uashingtonit të gjitha fitimet nga një fond që kontrollon burimet e Ukrainës derisa Ukraina “të kishte shlyer të gjithë ndihmën amerikane” të kohës së luftës, plus interesin, sipas një përmbledhjeje të rishikuar nga Reuters.

Zelensky tha të premten se Ukraina nuk do të pranonte asnjë marrëveshje për të drejtat e mineraleve që kërcënonte integrimin e saj me BE-në, por se ishte shumë herët për të gjykuar mbi marrëveshjen e rishikuar. /Telegrafi/