Më 24 shkurt 2022, Forcat e Armatosuna të Federatës Ruse sulmuen ushtarakisht Republikën e Ukrainës. Paqja në Europë u thye! “Çdo gjë ka ndryshuar në Europë, në rajonin euroatlantik. Ky është thjesht momenti i duhur kur mund të bisedojmë haptazi”. (Analena Boerbok, MPJ e Gjermanisë).
Me paramendim dhe pa deklarim zyrtar lufte, pa nji marrëveshje të maparshme, Presidenti rus, Vladimir Putin, theu paqen e vazhdueshme të shteteve të Europës që mbretnoi mbi atë kontinent që nga data 9 maj 1945, e njohun si Dita e Europës (Europe Day). Rusia filloi kështu nji konflikt me nji sulm banditesk ushtarak kundër nji shteti të lirë, të pavarun e demokratik vetëm për ambicie zgjanimi territorial, në shkelje të paturpshme të të gjitha dispozitave të së drejtës ndërkombëtare dhe të fqinjësisë së mirë. Rusia e quejti “nji operacion special ushtarak”.
Falë heroizmit spartan të treguem nga populli ukrainas, lufta e pabarabartë në mes dy shteteve vazhdon edhe sot me humbje të mëdha të popullsisë dhe të vlerave materiale për shtetin viktimë-Ukrainën. Akti agresiv shkaktoi reagimin e menjiherëshëm të NATO-s, organizatës difensive të Åtlantikut të Veriut. Nën udhëheqjen amerikane, Europa siguroi mjete dhe materiale të konsiderueshme në pajisjen e Ukrainës, nji provë solidariteti e pa shembull në historinë moderne të kontinentit. Lufta në Ukrainë mori randësinë e luftës për shpëtimin e demokracisë!
Pse Ukrainën? Anna Reid, autore, në mes tjerave edhe të “Historia e Ukrainës” pershkruen Presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, “si nji kalorës që lufton historinë” (FA May/June 2022). Më 21 shkurt 2022, Putin mbajti nji fjalim me egërsi dhe përsëriti të gjitha “krimet” që Perëndimi kishte ba kundër Rusisë. “Ukraina”, tha Putin, “nuk ashtë thjesht nji fqinj për ne. Ukraina ashtë pjesë e pandryshueshme e historisë sonë, kulturës dhe spiritualitetit tonë. Kufijtë e Ukrainës nuk kanë kuptim tjetër veçse me përcaktue ish-administratën e së kaluemes si krahinë e Bashkimit Sovjetik, e krijueme krejtësisht nga Rusia”.
Në korrik 2021, Kremlini botoi nji ese prej 7.000 fjalësh nen drejtimin e Putinit, me titull: “Mbi unitetin historik të Rusisë dhe Ukrainës”, ku tregohej nji histori e nji fati të përbashkët. Ndamja në mes të Rusisë dhe Ukrainës ashtë prodhim i veprimeve të Fuqive Perëndimore”. Ai shkruente: “… ndryshimi me forcë i identitetit ashtë i njëjtë… me përdorimin e armëve atomike të shkatërrimit masiv kundër nesh”. “Nesh” për V. Putin don të thotë “Ukrainës”…pjesë e Rusisë, meqë ukrainasit nuk ekzistojnë…”. (sic!)
Për ma tepër, Ukraina portretizohet si “shtet i falimentuem”. Në nji intervistë me strategun putinist Vladislav Surkov, ai foli edhe ma hapët: “Metoda e vetme me provue historinë e Ukrainës si frytëdhanëse ashtë marrëdhanja vëllaznore e detyrueme me dhunë” (coercive fraternal relations). Sot, e gjithë bota e qytetnueme ashtë dëshmitare për kuptimin e nji shprehje të këtillë. “V.Putin perdor forcën dhe censurën totalitare në nji përpjekje të pakuptim me afrue realitetin me mitologjinë ruse”. (f.55)
Ukraina e konceptueme si “nji vend i mundun nga gjeografia politike” u desht të kalonte nga stina e urisë staliniane në grushtin e shtypjes hitleriane: miliona ukrainas vdiqën nga uria e imponueme nga Stalini (1927-‘29) dhe në luftën kundër Hitlerit (1941-‘43).
Nji trajtim i këtillë i Ukrainës nuk e pengoi Putinin që më 25 shkurt 2022 të bajë thirrje ushtrisë ukrainase me përmbysë qeverinë e “drogistëve” dhe të “neo-nazistëve të “qeverisë në Kiev”. Rezultatet e politikës putiniste përfunduen në bashkimin e popullit të Ukrainës në mbrojtje të lirisë dhe dinjitetit njerëzor të qytetarëve. Sentimenti i pavarësisë u ba universal mbas agresionit rus të 24 shkurtit 2022 në nji luftë për ekzistencë që nuk duket se do të përfundojë shpejt, fatkeqësisht! Historia e Ukrainës jep sot nji mësim që nuk harrohet për Presidentin Putin.
Lufta ka marrë tashti karakterin e nji ballafaqimi në mes dy regjimeve kundërshtarë: demokracinë liberale perëndimore nga njena anë, dhe autokracinë agresive të Rusisë nga ana tjetër. Ka mundësi që nji rreshtim i këtillë të jetë edhe ballafaqimi i fundit me nji shtet totalitar si Rusia sot, thyemja ose transformimi i Rusisë në nji shtet demokratik dhe plotësimi i ndërtimit të nji Europe të plotë, të lirë, demokratike dhe paqësore. Ashtu si me shpërbamjen e ish-Bashkimit Sovjetik, 1989, u ba i mundshëm kalimi i nji periudhe të caktueme të historisë së mbasluftës, dhe për shumë vrojtues edhe fundi i historisë si e tillë, pikën e fundit të evolucionit ideologjik të njerëzimit dhe fitoren e universalizmit, formës së regjimit përfundimtar: demokraci liberale, perëndimore, paqësore e sundim i i ligjit.
Në nji analizë mjeshtrore të situatës, korrespondenti i “The New York Times” në Paris, Roger Cohen, me datën 8 maj 2022 shkruen në mes tjerash mbi dallimin në mes të vlerave të heroizmit patriotik ukrainas versus dekadencës morale të nji rusie autokratike që ashtë konteksti i mendimit të Z. Putin. Çdo gja ashtë e zezë në portretizimin e Perëndimit, në fantazinë e tij, që Perëndimoret kanë organizuenji regjim “nazist” ne Kiev (sic!). Fantazi e smurë dhe e rrezikshme. Ndërkaq, Presidenti i Francës, Emanuel Macron, udhëton për Berlin me festue 75-vjetorin e 9 Majit si dita e Europës (Europe Day) dhe mbron idenë se Bashkimi Europian ashtë diçka ma shumë se “ekonomia” dhe se Europa ashtë e prirun me u transformue në nji sistem federal, ma e fortë, nji fuqi botënore e 27 shteteve me nji popullsi prej afer 450 milionë qytetarësh të lirë, e në kundërshtim me nji shoqëni të militarizueme; me u transformue në nji shoqëni shtetesh që celebrojnë fitoren e cila nuk lejon nji diktator me sundue me ligjë të urdhnueme nga ai vetë. “Në Rusi, sot mbahet ceremonia e Luftës së Madhe Patriotike me theks në forcën ushtarake, në Europë theksohet imperativi kategorik për paqen, sepse “rreziku i nji konflagracioni ekziston”: Grozny, Aleppo, Mariupol janë këtu me dëshmue. Në Europë përbuzet filozofia staliniane që predikon “forcën ushtarake si mjet efektiv me ndryshue gjeopolitiken e botës reale”, nji pohim tronditës. “Për komunitetin edhe vdekja ashtë e bukur”, thotë nji proverb rus, por për individin e lirë europian vdekja ashtë asgjasimi i pariparueshëm i jetës. Nuk ka gja ma të shtrenjtë se nji jetë njerëzore e lirë dhe me dinjitet.
Haptazi, koncepti rus për Europen ashtë nji lexim i gabueshëm i fakteve, i arsyetimit dhe i zotimeve të marruna për integrim, dhe jo vetëm ndjekja e prosperitetit ekonomik që shërben për sigurimin e paqes. Në librat sovjetikë të historisë ruse për shkollat e mesme kam lexue këtë përcaktim: “Roma dhe Bizanti janë shue; Moska ashtë Roma e tretë, dhe nuk do të ketë kurrë nji Romë të katërt”. Ky ashtë vrapimi mbas “lavdisë” që siguron ‘perandoria’ pa llogaritë marrëzinë e aktit dhe çmimin që kërkon…! Reichu i tretë nazist ashtë mësimi ma i mirë!
9 mars 1950, pioneri Robert Schuman, MPJ të Francës, deklaroi formimin e paktit “charbon-acier” me qëllim që të bahen të pamunduna konfliktet franko-gjermane dhe të eliminohet rreziku i vetëvrasjeve të përsëritshme të dy vendeve. Bërthama e Bashkimit Europian u hodh në tokën e plleshme, por të gjakosun të popullsisë europiane. Ndërkaq, në Moskë theksohej: “Populi ynë (rus) ka qenë i vetmuem, i vetmuem në kohë të vështira, heroik në rrugën e sakrificës për fitore! Putin) Elozhe për ‘luftën”.
Nji pohim pa asnji bazë! “Mbrenda mendjes së z.Putin ashtë shumë përbuzëse ideja se ‘shkëmbimet tregtare’ sjellin paqen në mes shteteve”, nji ide frymëzuese për 450 milionë europianë me nji ekonomi prej 17+ trilionë dollarësh. Përgjigjja e Rusisë ka qenë zgjanimi territorial me forcë, e veçanërisht krijimi i nji “cordon sanitaire” deri në vitin 1989, nji andërr që Z. Putin ndjek edhe sot me konfliktin në Ukrainë. “Në mendjen e tij Rusia ashtë sot Imperatoria e Romës Antike! Ish-kancelarja gjermane, zonja Angela Merkel, dha këtë përcaktim: “KM Putin nuk kupton kontekstin ndërkombëtar”.
Që nga dita e parë, sulmi kundër Ukrainës nuk ishte luftë kundër Ukrainës, por kundër Shteteve të Bashkueme dhe Bashkimit Europian, fajtorë për zhdukjen e Bashkimit Sovietik, 1989, (Romës putiniste) të njohun edhe si “burgu i popujve”, që Z. Putin e përcaktoi si “… tragjedia ma e madhe gjeopolitike e shekullit 20”. Në fjalimin e sulmit kundër Ukrainës, ai deklaroi: “E gjithë e ashtuquejtuna ‘klika perëndimore’ ashtë e formueme nga ShBA me mentalitetin e saj të nji ‘perandorie të gënjeshtrës’”.
Ashtë po ky V. Putin që më 25 shtator 2001 gjatë vizitës zyrtare në Gjermani, iu drejtue edhe Parlamentit Gjerman, në përshkrimin e gazetës “The New York Times”: “… tue folë me gjuhën që ai e quejti të Goethes, Schiller dhe Kant, deklaroi: ‘Rusia ashtë nji vend europian miqësor. Paqa e qëndrueshme në kontinent ashtë qëllimi kryesor për kombin tonë … vlerat demokratike dhe liritë (janë) … çelësi i synimeve të politikës së brendshme ruse”.
Anëtarët e Bundestagut gjerman e duartrokitën me ovacion këtë frymë pajtimore që mungoi në raportet në mes Lindjes dhe Perëndimit për dekada me radhë…! Ukraina në 2022 zbuloi Putinin e vërtetë! Në ndërkohë, lufta në Ukrainë ka bashkue të gjithë Europën në nji mision të shenjtë: me refuzue luftën dhe me shpëtue lirinë dhe demokracinë e 450 milionë qytetarëve të lirë. Kjo shpjegon përkrahjen e shumë shteteve joeuropiane, me përjashtim të shteteve ekonomikisht të varuna nga Rusia ose Kina. Kjo shpjegon përse shtetet pranë Rusisë kërkojnë anëtarësimin në NATO si i vetmi shans me u mbrojtë nga invazioni i Z.Putin.
Ide të reja diskutohen për avancimin e Bashkimit Europian përtej marrëdhënieve tregtare. Udhëheqshi italian, Mario Draghi, ka lëshue thirrjen për nji “federatë pragmatike”, nji ide që ka lidhje me atë të Shteteve të Bashkueme të Europës. Z. Draghi shpjegon: “Duhet të tejkalojmë parimin e unanimitetit që përfundon në logjikën e votave kundërshtare, dhe ecën drejt vendimeve të marruna nga shumica e kualifikueme, tue iu referue procedurës që do të mundësonte aprovimin në raste kur kalohet shkalla e përkrahjes…. Me mbrojtë Ukrainën don të thotë me mbrojtë veten tonë, me ofrue sensin e sigurisë dhe demokracisë që kemi ndertue së bashku për 70 vjet”.
Sot, me debatet e pafund duket sikur Bashkimi Europian ka hye në nji fazë transformative. Politikologu francez Dominique Moisiu, tue folë për 9 Majin tha: “Çka ashtë ma reale? Forca sovjetike dhe Mariupoli i shkatërruem, apo jeta normale europiane ne Strasbourg? Na duhet të luftojmë me vendosmëni kundër tij (Putin), të ndërtojmë atë (BE) sikur e ardhmja jonë të ishte ne rrezik. Na nuk mund të ndërtojmë Europën si fuqi botënore pa Amerikën, sepse humbasim gjysmën e Europës. Bashkimi i Botës së Perëndimit ashtë çelësi i bashkimit të Europës”. Kjo do të ishte edhe fitorja e demokracisë liberale perëndimore e andrrueme nga milionët sot të vdekun ose ende të gjallë, në botën tonë plot rreziqe … /Gazeta “Panorama”/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëDrenusha Latifi pranon në takim Atillën, vendosin të 'pajtohen' për hatër të fëmijëve
Publikohen pamjet tronditëse të momenteve të fundit të Liam Payne sa ishte gjallë - stafi i hotelit kryen lëvizje të çuditshme dhe ka mospërputhje të kohës
Ana lë shtëpinë e Big Brother VIP Kosova 3
Një epokë e re në bashkëpunimin ushtarak: Ja se si vendet anëtare të BE-së "po bashkohen për një mbrojtje të avancuar”
"Nuk mund të bërtasësh Serbi, Serbi në një stadium përballë një populli të masakruar" - gazetari rumun shumë kritikues ndaj tifozëve
Droni i policisë iu heq nga duart shqiptarëve 2.8 milionë paund, burg pas zbulimit të “fabrikës” së drogës në Angli
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Sancho mund të largohet nga Chelsea, por jo nga Anglia – atë e do me ngulm rivali i tyre
Një epokë e re në bashkëpunimin ushtarak: Ja se si vendet anëtare të BE-së "po bashkohen për një mbrojtje të avancuar”
Ish-deputetët e LVV-së kritikojnë kryeministrin Kurti për mungesën e fokusit në bashkimin kombëtar
"Kam 90 për qind gjasa që s'do mbijetoj", zbardhet biseda telefonike që Diana realizoi me babanë e saj para se të largohej nga BBVK
Publikohen pamjet tronditëse të momenteve të fundit të Liam Payne sa ishte gjallë - stafi i hotelit kryen lëvizje të çuditshme dhe ka mospërputhje të kohës
Zyrtari i lartë ushtarak britanik: Jemi të gatshëm qysh sonte të luftojmë me Rusinë