U sulmuan fizikisht dhe u grabitën, Policia arreston tre dyshuarit në Gjakovë

Policia e Kosovës ka bërë të ditur për një rast të grabitjes në Gjakovë.
Në njoftim bëhet e ditur se rreth orës 16:25, të datës 15 maj 2025, policia është njoftuar se katër persona të rritur (tri femra dhe një mashkull) pas një mosmarrëveshje ishin sulmuar fizikisht nga tre persona të dyshuar (një mashkull dhe dy femra kosovare), të cilët dyshohet se pas sulmit kanë kryer edhe një akt grabitjeje ndaj njërës prej viktimave femra, duke i marrë para të gatshme të cilat ajo i kishte me vete
Rasti ka ndodhur në rrugën “Konferenca e Bunjajt”, në Gjakovë.
“Viktimat kanë pësuar lëndime trupore dhe u është ofruar menjëherë trajtim mjekësor”, thuhet në njoftim.
Policia tutje bën të ditur se pas një pune të shpejtë operacionale dhe hetimore, policia ka arritur të identifikojë dhe arrestojë tre të dyshuarit, dy prej të cilëve me vendim të prokurorit kompetent janë dërguar në mbajtje si dhe ndaj tyre është iniciuar rast për hetim për veprat përkatëse.
Parat e grabitura i janë kthyer viktimës. /Telegrafi/










































