Presidenti amerikan kërkon alternativë për projektin gjigant prej 175 miliardë dollarësh, ndërsa Elon Musk nuk është më pjesë e planit.

Donald Trump ka njoftuar se është në kërkim të një alternative për realizimin e projektit të shumëpërfolur të mbrojtjes raketore “Kupola e Artë” (Golden Dome), duke përjashtuar zyrtarisht Elon Muskun dhe kompaninë e tij, SpaceX nga fazat e ardhshme të zhvillimit.


Projekti, që vlerësohet të kushtojë rreth 175 miliardë dollarë, synon të krijojë një rrjet të sofistikuar mbrojtës kundër raketave dhe dronëve armik – jo vetëm nga toka, por edhe nga hapësira, përmes përdorimit të teknologjisë satelitore. Sipas Trump, sistemi do të mbulojë pjesë kyçe të territorit amerikan dhe duhet të jetë funksional deri në janar të vitit 2029.

“Kam përzgjedhur tashmë dizajnin për projektin. Do të jetë më i avancuari në botë dhe do të mbrojë Amerikën si kurrë më parë,” tha Trump gjatë një konference në Florida, shkruan reuters.

Në krye të projektit është emëruar gjenerali i Forcave Hapësinore, Michael Guetlein, ndërsa si vende për vendosjen e sistemit janë përmendur Alaska, Florida, Georgia dhe Indiana. Kanadaja është përmendur gjithashtu si një partnere e mundshme në këtë nismë strategjike.

Në fillim, SpaceX e Muskut shihej si favorit për të realizuar segmentin hapësinor të sistemit, së bashku me kompanitë Palantir dhe Anduril.

Megjithatë, Trump tani po eksploron mundësi të tjera, duke lënë të kuptohet se marrëdhëniet e ftohta me Musk mund të kenë ndikuar në këtë vendim të fundit.

Projekti “Kupola e Artë” është konsideruar një ndër më të shtrenjtët në historinë ushtarake të SHBA-së dhe ka shkaktuar reagime të ashpra nga vende si Kina dhe Rusia, të cilat e konsiderojnë një hap drejt militarizimit të hapësirës. /Telegrafi/