Vetëm 20,3 për qind e ukrainasve do të votonin për presidentin Volodymyr Zelensky në zgjedhjet e ardhshme presidenciale, tregon një studim i publikuar sot nga agjencia Info Sapiens.

Pavarësisht rënies së mbështetjes, Zelensky mbetet ende kandidati individual më i popullarizuar, shkruan Kyiv Independent.


Studimi u krye midis 13 dhe 28 nëntorit, disa ditë pas një skandali të madh korrupsioni që goditi Ukrainën dhe në të cilin ishin të përfshirë aleatë të Zelenskyt. Në muajin tetor, një muaj para shpërthimit të aferës, mbështetja për Zelenskyn ishte 24,3 për qind.

Rezultatet e anketës:

Volodymyr Zelensky – 20,3 për qind

Valeri Zaluzhny – 19,1 për qind

Kyrylo Budanov – 5,1 për qind

Ish-komandanti i forcave të armatosura të Ukrainës dhe tani ambasador i Ukrainës në Mbretërinë e Bashkuar, Valeriy Zaluzhny ndodhet në vendin e dytë me mbështetje prej 19,1 për qind, një rritje prej tre për qind krahasuar me tetorin.

Në vendin e tretë është vendosur shefi i shërbimit ushtarak të inteligjencës ukrainase, Kyrylo Budanov, me 5,1 për qind mbështetje. Rreth 23,6 për qind e të anketuarve nuk dinin të përgjigjeshin ose refuzuan të japin përgjigje.

Anketa u krye në një mostër prej 1000 personash.

Në një skenar hipotetik të zgjedhjeve parlamentare, 21,8 për qind e të anketuarve thanë se do të mbështesnin një parti që nuk ekziston ende dhe që do të udhëhiqej nga Zaluzhny, ndërsa partia e Volodymyr Zelenskyt do të merrte 11,5 për qind të votave.


Si Zaluzhny ashtu edhe Budanov aktualisht mohojnë ose injorojnë mundësinë e hyrjes në politikë. Studimi u krye përmes anketimit telefonik mbi një mostër prej 1000 ukrainasish mbi moshën 16 vjeç.

Kur mori detyrën e presidentit në 2019, rreth 80 për qind e ukrainasve e mbështesnin Zelenskyn. Deri në shkurt 2022, ky numër ra në 37 për qind, për të u rritur papritmas në 90 për qind pas fillimit të pushtimit rus me përmasa të mëdha.

Një anketë e Institutit Ndërkombëtar të Sociologjisë së Kievit (KIIS) e kryer më herët këtë vjeshtë tregoi se 60 për qind e ukrainasve ende i besojnë Zelenskyt, ndërsa 35 për qind nuk kanë besim. E njëjta studim tregoi se vetëm 25 për qind e qytetarëve mendojnë se Zelensky duhet të qëndrojë në detyrë pas përfundimit të luftës.

Sipas kushtetutës ukrainase, zgjedhjet mund të mbahen vetëm pas përfundimit të gjendjes së luftës, e cila u shpall në fillim të pushtimit rus në 2022. Zelensky në shtator tha se është i hapur ndaj mundësisë që pas luftës të mos kandidojë përsëri.

Presidenti amerikan, Donald Trump tha në një intervistë për Politico se është koha që Ukraina të mbajë zgjedhje. Deklarata e tij vjen në një kohë kur Uashingtoni po shton presionin mbi Kievin për të negociuar një zgjidhje paqësore për përfundimin e luftës ruse. /Telegrafi/