Një fjalë e ngrohtë, në momentin e duhur, mund të bëhet kujtim që i jep forcë fëmijës për gjithë jetën

Fëmijët që në moshë shumë të hershme përvetësojnë fjalët dhe mesazhet e prindërve të tyre. Pikërisht ato mesazhe formësojnë vetëbesimin, ndjenjën e sigurisë dhe mënyrën se si do të ndërtojnë marrëdhëniet me të tjerët.


Ekspertët theksojnë shpesh se nuk ka rëndësi vetëm ajo që prindërit bëjnë, por edhe ajo që thonë, sepse fjalët mund të bëhen themel i zhvillimit emocional të fëmijës.

Ekzistojnë tri fjali të thjeshta që fëmijët duhet t’i dëgjojnë çdo ditë, dhe që mund t’i ndihmojnë të rriten si persona të qëndrueshëm dhe të sigurt në vete, transmeton Telegrafi.

“Të dua”

Psikologët theksojnë se fëmijët që e dëgjojnë rregullisht këtë fjali zhvillojnë ndjenjë më të fortë përkatësie dhe sigurie emocionale. Edhe kur prindërit kanë ditë të ngarkuara ose përplasje me fëmijët, është e rëndësishme të tregohet qartë se dashuria është e qëndrueshme dhe e pakushtëzuar. Ky mesazh i jep fëmijës ndjenjën e vlerës dhe pranimit, ashtu siç është.

“Jam krenar/krenare për ty”

Terapeutët theksojnë se fëmijëve u nevojitet vlerësim për përpjekjen, jo vetëm për arritjet. Kur prindërit shprehin krenari për përkushtimin ose sjelljen e mirë të fëmijës, ata mësojnë se vlera nuk qëndron vetëm te rezultati, por edhe te procesi. Ky lloj inkurajimi i nxit të mësojnë, të jenë këmbëngulës dhe të zhvillojnë motivim të brendshëm.

“Jam këtu për ty”

Ekspertët e zhvillimit të fëmijëve shpjegojnë se fëmijët që e dinë se kanë mbështetje të besueshme nga prindërit, e kalojnë më lehtë vështirësitë dhe sfidat. Kjo fjali e thjeshtë u jep ndjenjë sigurie dhe besimi, jo vetëm ndaj prindërve, por edhe ndaj botës përreth. Kur fëmija e ndien se nuk është vetëm, ai zhvillon forcë dhe qëndrueshmëri që do ta shoqërojnë gjatë gjithë jetës. /Telegrafi/