LAJMI I FUNDIT:

“Tregime nga Ballkani” në Teatrin Kombëtar të Kosovës

“Tregime nga Ballkani” në Teatrin Kombëtar të Kosovës

Në Teatrin Kombëtar të Kosovës në Prishtinë, shfaqet premiera e pjesës së veçantë teatrale, që promovon të drejtat e njeriut, me titull "Tregime nga Ballkani" me rastin e Ditës Botërore për Zhdukjen e Varfërisë.

Me rastin e 60 vjetorit të Deklaratës Universale për të drejtat e njeriut, Ekipi i Agjensive të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNKT) dhe Qeveria e Kosovës kanë bashkuar përpjekjet së bashku me organizatat e shoqërisë civile, sektorin privat dhe Organizata të tjera ndërkombëtare për të nxitur promovimin e të drejtave të njeriut për nder të përvjetorit të 60-të të kësaj Deklarate dhe shënimit të Javës së Luftës Kundër Varfërisë 17-24 tetor me moton “Të gjithë të barabartë dhe pa diskriminim”.

Aktorë, skenografë, kostumografë, koreografë dhe regjisorë nga Kosova, Serbia, Maqedonia, Shqipëria, Kroacia dhe Bosnjë-Hercegovina janë mbledhur për të festuar së bashku diversitetin kulturor të Ballkanit dhe për të shfaqur përkushtimin e tyre për promovimin e Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut në ditëlindjen e saj të gjashtëdhjetë.

Artistët kanë qenë para sfidës që vetëm për shtatë ditë, të gjejnë një gjuhë të përbashkët në skenë dhe të përgatisin shfaqjen teatrale “tregime nga Ballkani” e cila ka për qëllimin promovimin e të drejtave të njeriut përmes artit.


Kjo shfaqje është rezultat i rrjetit rajonal të krijuar tashmë të artistëve që do të promovojë të drejtat e njeriut dhe nxisë bashkëpunimin rajonal. Mbrëmja premierë organizohet nën përkujdesjen e Kryeministrit, Hashim Thaçi, dhe Koordinatorit për Zhvillim të Agjencive të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Frode Mauring.

Kjo shfaqje do të jepet edhe në teatrin e qytetit të Prizrenit (18 Tetor), shtëpinë e kulturës në Çagllavicë (19 Tetor) dhe Shtëpinë e kulturës –në Mitrovicë (20 Tetor).Ky projekt i Artpolis u mundësua falë mbështetjes së Ekipit të Agjencive të Kombeve të Bashkuara në Kosovë. /ina/