Tre vëllezër në Shijak të Durrësit kanë kërcënuar me armë imituese pronarin e një lokali, e kanë goditur atë me çekiç, si dhe ia kanë dëmtuar ambientet e lokalit.
Policia njofton se si rezultat i ndërhyrjes së menjëhershme, është kapur dhe arrestuar njëri prej të dyshuarve 27-vjeçar, si dhe janë proceduar penalisht dy vëllezërit e tij.
“Sekuestrohen arma imituese, sendi i fortë (çekiç) dhe një automjet. Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shijak, menjëherë pas marrjes së informacionit, për një konflikt për motive të dobëta, të ndodhur në një lokal në Shijak, kanë organizuar punën për të neutralizuar konfliktin dhe për të arrestuar shtetasit përgjegjës”, thuhet në njoftimin për media.
“Si rezultat i veprimeve të shpejta procedurale dhe hetimore të kryera në vendngjarje, shërbimet e Policisë arrestuan shtetasin F. Ç., 27 vjeç, banues në Shijak, si dhe referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për 2 vëllezërit e tij, shtetasit Xh. Ç., 32 vjeç, A. Ç., 27 vjeç, gjithashtu banues në Shijak”.
Nga këto veprime ka rezultuar se shtetasi F. Ç., në bashkëpunim me dy vëllezërit e tij, pas një konflikti për motive të dobëta, kanë kanosur me armë imituese, shtetasin M. Rr., 29 vjeç, banues në Shijak (pronar i një lokali në Shijak), e kanë goditur atë me send të fortë (çekiç), si dhe kanë thyer xhamat e lokalit në pronësi të tij.
“Sendet e kundërligjshme që u përdorën për kryerjen e këtij krimi, si dhe automjeti i këtyre shtetasve, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë së Juridiksionit Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale ‘Plagosja e lehtë me dashje’ dhe ‘Kanosja’”./Telegrafi/