Transferimet më të shtrenjta të kësaj vere

Është folur dhe po flitet shumë për transferimin e bujshëm të Luis Suarez nga Liverpool te Barcelona apo për transferimin e James Rodriguez nga Monaco te Real Madrid, por merkatos shumë të "nxehtë" të kësaj vere i është bashkuar edhe Angel Di Maria, që për 75 milionë euro la Real Madridin për t'iu bashkuar Manchester United (blerja më e shtrenjtë në historinë e futbollit anglez).
Nga 100 milionë eurot e paguara verën e shkuar nga Real Madrid për Gareth Bale, ne kemi tejkaluar barrierën e 80 milionë eurove dy herë.
Luis Suarez pati jo pak probleme gjatë Botërorin "Brazil 2014", ku pas kafshimit ndaj Chiellinit mori një dënim të rëndë nga FIFA, por këto probleme nuk e ndaluan Barçën të shpenzojë plot 88 milionë euro për kartonin e tij, që përbën dhe shumën më të shtrenjtë deri tani.
Gjithmonë i kujdesshëm për të mos mbetur pas nga rivali i tij i përjetshëm, Real Madrid ka shpenzuar 80 milionë për James Rodriguez, një tjetër yll i Kupës së Botës.
David Luiz nuk do t’i mungojë Jose Mourinhos te Chelsea, por Paris Saint Germain shpreson që 49.5 milionë eurot e shpenzuara për brazilianin, që mbetet mbrojtësi më i shtrenjtë në histori, të jenë një investim i mirë.
"Blutë" e Londrës nga ana e tyre, kanë riinvestuar 44 milionë euro për të marrë Diego Costan nga Atletico Madrid.
Në vend të 6-të gjejmë Alexis Sanchez, që këtë verë u bë lojtari më i shtrenjtë në historinë e Arsenalit. Kiliani është ndjekur nga Luke Shaw, adoleshenti më i shtrenjtë i historisë së futbollit, për të cilin Manchester United ka pranuar të paguajë 37.8 milionë euro.
Shok skuadre i Shaw te "Djajtë e Kuq", Ander Herrera është në vendin e 8-të. Athletic Bilbao ka futur në arkën e klubit 36.5 milionë euro për të dhënë lojtarin, ndërsa Cesc Fabregas pozicionohet në vendin e 9-të për kthimin e tij në Premier League. Chelsean e gjejmë edhe në vendin e 10-të me shitjen e Romelu Lukakut, i cili iu bashkua Evertonit për një një shumë rekord për ekipin anglez.
Adam Lallana është i fundit në Top 11. Ai la Southampton për Liverpoolin kundrejt shumës 31.5 milionë euro. /albeu/
Top 11 lojtarët më të shtrenjtë të kësaj vere:
- Luis Suarez (Liverpool-Barcelona) - 88 milionë euro
- James Rodriguez (Monaco-Real Madrid) - 80 milionë euro
- Angel Di Maria (Real Madrid-Manchester United) - 75 milionë euro
- David Luiz (Chelsea-PSG) 49,5 milionë euro
- Diego Costa (Atl.Madrid-Chelsea) - 44 milionë euro
- Alexis Sanchez (Barcelona-Arsenal) - 40 milionë euro
- Luke Shaw (Southampton-Man.United) - 37,8 milionë euro
- Ander Herrera (Ath.Bilbao-Man.United) - 36,5 milionë euro
- Cesc Fabregas (Barcelona-Chelsea) - 36 milionë euro
- Romelu Lukaku (Chelsea-Everton) - 35,3 milionë euro
- Adam Lallana (Southampton-Liverpool) - 31,5 milionë euro. /Telegrafi/



















































