Ndërmarrja Publike Komunale “Trafiku Urban” në Prishtinë ka njoftuar se transporti publik do të mbetet i pezulluar deri në transferimin e mjeteve buxhetore nga institucionet qendrore, ndonëse Kuvendi Komunal ka votuar sot bartjen e buxhetit nga viti 2024.

Përmes një komunikate, ndërmarrja ka shprehur keqardhje për vështirësitë që po u shkaktohen qytetarëve, duke theksuar se pa realizimin e transferimit financiar, Trafiku Urban mbetet në pamundësi të shlyejë obligimet ndaj furnitorëve dhe të rifillojë operimin normal.


Sipas ndërmarrjes, të gjitha institucionet përgjegjëse, përfshirë ministrinë përkatëse, duhet të përshpejtojnë procedurat në mënyrë që shërbimi publik të rikthehet sa më shpejt.

Gjatë kësaj periudhe, protesta e paralajmëruar e punëtorëve të Trafikut Urban do të vazhdojë, derisa situata të zgjidhet.

Ndërmarrja gjithashtu ka bërë të ditur se qytetarëve do t’u kompensohen ditët e biletave mujore që nuk kanë mundur t’i shfrytëzojnë për shkak të ndërprerjes së shërbimit.

“Të gjitha biletat mujore të paguara do të kompensohen për ditët kur shërbimi nuk ka qenë i qasshëm”, thuhet në njoftim./Telegrafi/