Një hetim i nisur nga autoritetet zvicerane dhe nga Prokuroria e Tiranës ka zbuluar një grup të trafikut të drogës në Zvicër e Gjermani.
7 persona janë arrestuar në bazë të provave të administruara, ndërsa janë identifikuar dhe dy drejtuesit e grupit mes të cilëve një zjarrfikës në kryeqytet, konkretisht Ndriçim Harka dhe Etmond Merja, banues në Tiranë.
Harka tashmë është arrestuar, ndërsa Merja, i cili rezulton të jetë kunati i tij është shpallur në kërkim nga autoritetet.
Euronews Albania njofton se drejtuesit e grupit rekrutonin shtetas shqiptarë dhe i dërgonin në Zvicër për shpërndarje dhe shitje të kokainës, kundrejt një pagese prej 3500 eurosh.
Hetimi për këtë grup ka nisur 6 vite më parë kur një shtetasi gjerman dhe një shqiptari iu kapën dhe sekuestruan në Zvicër 3 kg kokainë.
Grupi është mbajtur në përgjim dhe në vëzhgim nga terreni derisa është provuar e dokumentuar veprimtaria kriminale.