Toshkovski: Jam i kënaqur me projektin "Safe City", qytetarët po tregohen më të kujdesshëm në komunikacion

Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, është i kënaqur me periudhën testuese të projektit “Safe City”.
Ai tha se qytetarët tashmë e kanë ngadalësuar vozitjen dhe se është ulur numri i aksidenteve në trafik.
“Periudha testuese tregon se Maqedonia ka kapacitet të jetë një vend normal. Qytetarët treguan se edhe gjatë një periudhe testuese, kur zbatohet një zgjidhje e re, e kuptuan atë dhe e ngadalësuan vozitjen brenda qytetit kryesor. Ata treguan se mund të sillen ndryshe dhe se tani janë evropianë të vërtetë. Janë ulur numrat e aksidenteve të trafikut në territorin e Qytetit të Shkupit, veçanërisht rastet me lëndime të rënda trupore,” deklaroi Toshkovski.
Kujtojmë se dhjetori dhe janari janë faza paralajmëruese për shkeljen në trafik që regjistrohen nga sistemi "Safe City", ndërsa gjobat do të fillojnë nga muaji shkurt.








































