"Topi tani është në fushën e Putinit”, tha shefi i NATO-s pas video-takimit mes Trumpit dhe liderëve evropianë

Shefi i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi se “topi tani është në fushën e Putinit”, pasi mori pjesë sot në një video-bisedë mes presidentit amerikan, Donald Trump, presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky dhe liderëve evropianë.
“Jemi të bashkuar në përpjekjen për t’i dhënë fund kësaj lufte të tmerrshme kundër (Ukrainës) dhe për të arritur një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme,” shkroi Rutte në rrjetet sociale.
“Vlerësoj udhëheqjen e (Trump) dhe koordinimin e ngushtë me Aleatët. Topi tani është në fushën e Putinit”, tha ai, duke iu referuar takimit të ardhshëm mes Trumpit dhe presidentit rus, Vladimir Putinit në Alaskë.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e quajti gjithashtu takimin virtual “shumë të mirë”.
“Diskutuam për takimin e ardhshëm dypalësh në Alaskë. Sot Evropa, SHBA dhe NATO e kanë forcuar edhe më shumë qëndrimin e përbashkët për Ukrainën,” shkroi Von der Leyen në rrjetet sociale.




































