Rekomandimet “For You” në TikTok kanë qenë prej kohësh një mister për krijuesit në këtë platformë, dhe madje as ata më me përvojë nuk e kuptojnë gjithmonë pse disa video bëhen virale ndërsa të tjerat jo.

Prej kohësh është spekuluar për llojet e përmbajtjes që nuk pranohen nga algoritmi i rekomandimeve të kësaj aplikacioni, por tani kompania synon t’u ofrojë krijuesve më shumë transparencë rreth mënyrës se si funksionon ky sistem.


TikTok po teston një funksion të ri të quajtur "kontrolli i përmbajtjes" (content check), i cili do t’u mundësojë krijuesve të kontrollojnë nëse videot e tyre përmbajnë ndonjë problem që mund t’i pengojë të shfaqen në faqen “For You”.

Gjithçka fillon me një version të thjeshtuar të këtij funksioni, të quajtur "Content Check Lite", i bazuar në web dhe i disponueshëm për desktop në TikTok Studio.

Ky funksion do të kontrollojë nëse videot e ngarkuara përmbushin kushtet për t’u rekomanduar në "For You" dhe do të theksojë problemet e mundshme përpara publikimit. Kompania thotë se është në "fazat e hershme" të eksperimentimit me një funksion më të zgjeruar të kontrollit të përmbajtjes, i cili do të tregojë nëse një përmbajtje është në përputhje me të gjitha udhëzimet përpara se të publikohet, si dhe do të ofrojë komente konkrete për përmirësimin e përmbajtjes që nuk është e pranueshme. Aktualisht, një grup i vogël krijuesish po merr pjesë në testim.

TikTok tashmë e ka testuar një version të këtij funksioni për shitësit në TikTok Shop dhe thotë se kjo ka sjellë një ulje prej 27 për qind të “përmbajtjes me cilësi të ulët”. Ky funksion mund ta ndihmojë kompaninë të fitojë më shumë besim nga krijuesit, të cilët shpesh spekulojnë për "ndalime të fshehta" dhe pyesin pse disa video nuk marrin aq shikime sa presin.

Kompania gjithashtu ka shtuar disa risi të tjera për krijuesit, duke përfshirë kontrolle të reja për heshtjen dhe filtrimin e komenteve, të cilat e bëjnë më të lehtë heqjen e fjalëve të caktuara nga komentet në transmetimet live dhe postimet e tjera.

Aplikacioni do të ketë gjithashtu një “kuti mesazhesh për krijuesit”, për të lehtësuar menaxhimin e komunikimit në aplikacion. Krijuesit që duan një hapësirë të veçantë për të ndërvepruar me ndjekësit e tyre do të mund të përfitojnë nga “dhomat e bisedës për krijuesit”, të cilat u lejojnë profileve të aprovuara të krijojnë një hapësirë të dedikuar për biseda me deri në 300 ndjekës. /Telegrafi/