Tifozët e Liverpoolit kanë shpërthyer në rrjetet sociale pas humbjes së skuadrës së tyre në ndeshjen miqësore parasezonale kundër Milanit.

Të shtunën, në stadiumin Kai Tak Sports Park në Hong Kong, “The Reds” zhvilluan përballjen e radhës të parasezonit ndaj gjigantëve të Serie A. Florian Wirtz debutoi për Liverpoolin nën drejtimin e trajnerit Arne Slot, duke dhënë disa sinjale pozitive me paraqitjen e tij të parë.


Megjithatë, Milani siguroi fitoren me rezultat 4-2, falë dy golave nga Noah Okafor, si dhe realizimeve nga Rafael Leao dhe Ruben Loftus-Cheek. Për Liverpoolin, shënuan Dominik Szoboszlai dhe Cody Gakpo.

Pas ndeshjes, një pjesë e konsiderueshme e tifozëve u shprehën të pakënaqur me performancën e Harvey Elliott dhe Tyler Morton, të cilët ishin pjesë e Anglisë U21 që fitoi Evropianin këtë verë.

“Elliott dhe Morton duhen larguar sa më parë”, shkroi një tifoz.

Një tjetër tha: “Njerëzit zemërohen që nuk luajnë mjaftueshëm – por me këtë paraqitje, s’kanë ç’të kërkojnë. West Ham, të lutem...”.

“Thjesht lërini të shkojnë, Morton dhe Elliott”, shkroi dikush tjetër.

“Faleminderit për shërbimin, por kaq ishte”, komentoi një tifoz.

“Morton nuk është ende gati për ekipin e parë. Elliott po tregon pse Slot nuk i beson”, u shpreh një tjetër.

Dhe më shkurt: “Shiten: Harvey Elliott dhe Tyler Morton". /Telegrafi/

telegrafi sport app