Ndërmarrja Publike Transportuese “Tetova-Transport” vazhdon të funksionojë me probleme në aspektin financiar. Kjo kishte bërë që kah mesi i muajit maj që autobusët të mos mund të furnizohen me naftë për shkak të mos pagesës së borxheve.
“Gjendja financiare nuk është e mirë në ndërmarrje, pasi që transportin publik më shumë e shfrytëzojnë studentët dhe nxënësit. Prej muajit shtator deri në muajin qershor ka më shumë lëvizje sepse punojnë universitetet dhe shkollat, kurse gjatë verës ka rënie të numrit të udhëtarëve”, thotë Rafiz Medija, drejtor i Ndërmarrje Publike Transportuese “Tetova-Transport”.
Edhe pse do të ketë reduktim të udhëtarëve, tre linjat do të mbahen edhe gjatë muajve të verës, pohojnë nga kjo ndërmarrje. Tashmë mbushet një vit që kur ndërmarrja është duke funksionuar rregullisht. Mos reduktimi i linjave ka të bëjë me atë se pritet që gjatë verës ardhja e mërgimtarëve dhe në atë periudhë ka shumë kaos në trafik, prandaj nga ndërmarrja presin që qytetarët më shumë të shfrytëzojnë transportin urban.
“Reduktim të linjave nuk do të ketë, linjat do të funksionojnë edhe pse do të ketë më pak udhëtarë sepse më shumë transportin e shfrytëzojnë nxënësit dhe studentët, por do të jetë problem sepse shumë pak qytetarë e shfrytëzojnë transportin publik. Derisa qytetarët të mësohen më shumë të përdorin transportin urban do të jetë vështirë”, thekson drejtori Medija. Sipas tij, situatën e kishte rënduar rritja e çmimeve të derivateve të naftës, me çka edhe ndërmarrja ishte detyruar që të kërkojnë ndihmë nga themeluesi i saj, që në këtë rast është komuna e Tetovës.
“Komuna çdo herë na ka dalur në ndihmë sepse ne nuk kemi rritur çmimin e biletave dhe kjo na ka shkaktuar shumë probleme financiare dhe në këtë rast komuna na ka subvencionuar për të mbijetuar si ndërmarrje”, sqaroi Rafiz Medija. Ai sqaron se një problem në vete është se vozitësit e autobusëve hasin në vetura të parkuara në nënstacionet për autobusët, kurse vozitësit e autobusëve detyrohen të marrin udhëtarët në mes të rrugës duke shkaktuar kaos në trafik .Me këtë situatë përballen çdo ditë shoferët e ndërmarrjes “Tetova-Transport”.
Nga ndërmarrja Tetova-Transport thonë se mos funksionimi për një kohë të gjatë i transportit publik ka bërë që vozitësit të mësohen të parkohen edhe në ato vende dhe do të duhet kohë që të përmirësohet kjo gjendje derisa të rritet vetëdija tek vozitësit./Koha.mk/