Deputetët e Kuvendit të Kosovës për të 54-në herë dështuan të konstituojnë Kuvendin e Kosovës, ndërkaq nga e diela, më 27 korrik ndalohet çdo vendim i deputetëve, pasi hyn në fuqi masa e përkohshme e vendosur nga Gjykata Kushtetuese.
Kjo ishte edhe tentativa e fundit para se të përfundojë afati 30 ditor, që është vendosur nga Gjykata Kushtetuese.
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka vendosur masë të përkohshme ndaj veprimeve dhe vendimeve të deputetëve të zgjedhur të Kuvendit, duke ndaluar çdo aktivitet parlamentar nga data 27 korrik 2025 deri në një vendim tjetër.
Në njoftimin zyrtar, Gjykata thekson se masa është vendosur ex officio, me arsyetimin se çdo veprim pas kësaj date mund të shkaktojë “dëme të pariparueshme për rendin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe funksionimin e institucioneve kyçe”.
26/07/2025 22:43-Dështon edhe tentativa e 54-të për konstituimin e Kuvendit - ndalohet çdo vendim i deputetëve deri më 8 gusht
Ka dështuar edhe tentativa e 54-të e deputetëve për konstituimin e Kuvendit.
Pasi nuk pati kuorum për Komisionin Zgjedhor, kryesuesi i Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari tha se me gjithë përpjekjet e tij për shkak të mungesës së vullnetit të deputetëve nuk u arrit konstituimi i Kuvendit brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.
“Meqë tash kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese për vendosjen e masës së përkohshme që hyn në fuqi më 27 korrik deri më 8 gusht 2025, siç thotë edhe vendimi ndalohet çfarëdo veprimi dhe vendimi nga ana e deputetëve.. Andaj, deri në një vendim tjetër apo vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese po e ndërpres seancën”, tha ai.
26/07/2025 22:39-Nis seanca, Dehari kërkon nga partitë emrat e anëtarëve për Komisionin zgjedhor
Ka nisur të mbahet seanca konstituive e Kuvendit, ndërsa kryesuesi i Kuvendit, Avni Dehari ka kërkuar nga partitë politike emrat për Komisionin Zgjedhor
26/07/2025 22:33-Deputetja e NISMA-s: Nuk do të ketë votë për kryetar të Kuvendit, përveç për Limajn
Deputetja e NISMA-s, Arbëreshë Krasniqi ka thënë se nuk kanë votë për kryetar të Kuvendit, përveç për Fatmir Limaj.
Krasniqi në një postim në Facebook shkruan se votimi duhet të jetë i hapur.
“Nuk ka pas, nuk ka dhe nuk do të ketë votë, përveç Fatmir Limajt për Kryetar të Kuvendit! Jo fshehtë, por hapur duhet”, shkruan ajo.
26/07/2025 22:22-Limaj konfirmon se ka zhvilluar takim me presidenten Osmani
Kryetar i NISMËS, Fatmir Limaj, para nisjes së seancës konstituive ka konfirmuar se është takuar sot me presidenten e vendit, Vjosa Osmani.
Limaj tha se me presidente kanë folur për seancën e sotme të Kuvendi.
“Me presidenten kemi pas takim dhe kemi shkëmby mendime... Natyrisht presidentja u interesua për mundësitë e zgjidhjes dhe u njoftua për atë që e kemi thënë edhe në media që nuk ka marrëveshje”- ka deklaruar Limaj.
26/07/2025 22:13-Sveçla pret që sonte të konstituohet Kuvendi
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla është shprehur optimist se do të konstituohet Kuvendi.
Para se të hynte në objektin e Kuvendit, Sveçla është pyetur nëse pret që sonte të konstituohet Kuvendit.
“Paj po”, tha shkurt ai.
26/07/2025 10:41-Deputetes Çitaku dhe Bajrami i ndërpritet fjalimi në seancë
Deputetes së Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku dhe asaj të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami i është ndërprerë fjalimi në Kuvend.
Pasi dolën në foltore pas kërkesës së kryesuesit Avni Dehari për t’i paraqitur emrat për anëtarë të Komisionit Zgjedhor, deputetët nisin fjalimin, por që iu ndërpre.
Dehari theksoi se në seancën konstituive është i ndaluar fjalimi.