Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur, Prenkë Gjetaj, ka thënë se nuk është e vërtetë që çështja e të pagjeturve nuk është më në agjendën bisedimeve në Bruksel.

“Është diskutuar në tri takimet e fundit ndërmjet kryeministri Thaçi dhe kryeministrit Dacic. Mirëpo, për të mos u duplifikuar është arritur një pajtim që dialogu të vazhdojë në kuadër të Grupit Punues i ndërmjetësuar nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar, me kusht që bashkësia ndërkombëtare t’i bëjë presion Serbisë që të tregojë informacione rreth varrezave masive të dyshuara”, ka thënë Gjetaj për Telegrafin.


Sipas tij, kjo nuk do të thotë se është kthim prapa, por është vazhdim i punës që është bërë më herët. “Kryqi i Kuq ka përvojë dhe ndikim ndërkombëtar, por nuk ka ndikim politik”, ka thënë Gjetaj.

Në anën tjetër, drejtori ekzekutiv i KMDLNJ-së, Behxhet Shala ka thënë se nuk beson se do të nënshkruhet ndonjë Traktat Paqeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Madje do të ketë edhe shumë pak marrëveshje të tjera. Më shumë ka gjasa të ketë një deklaratë verbale, sepse deri tash kryesisht ka pasur deklarime verbale e jo diçka të shkruar”, ka thënë Shala për Telegrafin.

Sipas tij, çështja e të zhdukurve natyrisht se do të bisedohet në takimet e ardhme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sepse nuk bëhet fjalë vetëm për të zhdukurit shqiptarë, por edhe për një pjesë nga komuniteti serb dhe rom.

“Kjo është çështje e të drejtave të njeriut dhe jo politike, por bisedimet aktuale janë politike. Ndërsa në fazën e mëvonshme pritet të bisedohet për këtë çështje. Por, në asnjë luftë në botë nuk është arritur të gjinden të gjithë të zhdukurit. Zakonisht, 15 – 25 për qind nuk zbulohen”, ka thënë Shala.

Ai ka vlerësuar se Kosova nuk është në gjendje ta kushtëzojë as Serbinë e as bashkësinë ndërkombëtare. Sipas tij, në qoftë se Prishtina kërkon informata nga Beogradi për të zhdukurit shqiptarë, atëherë dikush duhet të japë informata edhe për të zhdukurit serbë.

“Kjo është një çështje e ndjeshme, për të cilën e kam një përshtypje se i ikin edhe pala serbe edhe ajo shqiptare. Por, më shumë e përdorin për nevoja të brendshme politike. Megjithatë, çdo politikan, qoftë serb apo shqiptar, nëse arrin ta zgjidhë këtë çështje, atëherë përveç se e përmbush një detyrim moral, mund të përfitojë politikisht edhe në zgjedhje. Nuk ka përse të mos ketë interesim, mirëpo për momentin prioritet është veriu", ka thënë Shala. /Telegrafi/