Libraria Dukagjini vazhdon të ofrojnë një hapësirë për zhvillimin dhe promovimin e letërsisë shqiptare. Të mërkurën, 12 maj 2021, në orën 18:00, në librarinë “Dukagjini” në Prishtinë, promovohet romani “Mbyllur për pushime” i autorit Stefan Çapaliku.
Stefan Çapaliku (Shkodër, 1965), shkrimtar dhe studiues, ka kryer studimet themelore për gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Tiranës, kurse studimet e mëtejshme i ka vazhduar në Itali, Çeki dhe Angli dhe kreu doktoraturën në vitin 1996.
Më tutje, ka qenë shefi i Departamentit të Letërsisë në Universitetin e Shkodrës, profesor i Estetikës në Universitetin e Arteve në Tiranë, ndërsa aktualisht punon si studiues në Akademinë e Studimeve Albanologjike. Veprat e tij janë përkthyer në disa gjuhë dhe janë shpërblyer me disa çmime.
Romani “Mbyllur për pushime” botuar nga shtepia botuese “Fishta në vitin 2021, është një rrëfim që e sheh historinë me sytë e humbësve. Romani i vendos ngjarjet gjatë Luftës së Dytë, nga dita e kapitullimit të Italisë, shtator 1943 deri me ardhjen e komunistëve në pushtet, nëntor 1944. Libri na merr për dore dhe na nxjerr nga bregu tjetër, prej nga kurrë se kemi parë historinë tonë. Ai është romani që na fton ta shohim të shkuarën me sytë e humbësve. “Mbyllur për pushime” është romani që merret me fatet e njerëzve, të shtërnguar të jetojnë ndër kontekste krejtësisht të gabuara. Romani merret me dashuritë e palumtura të disa njerëzve, të nisur për të ndërtuar të ardhme të lumtura.