Site icon Telegrafi

Të mërkurën fillon zyrtarisht fushata zgjedhore, ky është numri i votuesve dhe partive politike në këto zgjedhje

Fushata zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit zyrtarisht do të fillojë pasnesër më 25 shtator dhe do të zgjas 10 ditë. Në këto zgjedhje do të garojnë 25 subjekte politike/koalicione parazgjedhore.

Numri i qytetarëve të cilët kanë të drejtë vote në zgjedhjet e 6 tetorit, është 1,937,868. Lidhur me këtë, KQZ ka vendosur që numri i fletëvotimeve të cilat do të shtypen të jetë 1,801,800. Kurse numri i emrave të personave që janë larguar si të vdekur pas Zgjedhjeve Lokale 2017 dhe numri i votuesve që kanë hequr dorë nga shtetësia e Republikës së Kosovës është: 46 mijë e 917, shkruan Telegrafi.

Lexo po ashtu KQZ: Do të shtypen 1,801,800 fletëvotime

Më 19 shtator ka filluar votimi përmes postës për shtetasit e Kosovës që jetojnë në vendet e ndryshme të Evropës. Votimi me postë përfundon me 5 tetor.
Kujtojmë se KQZ pati vendosur që numrat e partive politike pjesëmarrëse në zgjedhjet e 6 tetorit do të jenë nga 111 deri në numrin 135 e jo më të korrespondojnë numrat e partisë me kandidatët, sikurse në zgjedhjet e kaluara. Ndërsa në tërheqjen e shortit për renditje në fletëvotim pesë partitë politike dhe koalicionet parazgjedhore më të mëdha në vend kanë tërhequr numrat jo të afërt me njëra tjetrën.

Lexo po ashtu Këta janë numrat rendor në fletëvotim të pesë partive-koalicioneve më të mëdha në vend

Partia Demokratike e Kosovës ka tërhequr numrin 112 për t’u renditur në fletëvotim. Kështu kjo parti do të renditet e dyta me radhë.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka tërhequr numrin 134 për t’u renditur në fletëvotim. Pra, LDK do të renditet e parafundit në fletëvotim.

Lëvizja Vetëvendosje ka tërhequr numrin 126 për t’u renditur në fletëvotim. LVV do të renditet e 16-ta.

Koalicioni AAK-PSD ka tërhequr numrin 119 për t’u renditur në fletëvotim. Ky koalicion do të renditet i nënti në fletëvotim.

Ndërsa koalicioni Nisma-AKR-PD ka tërhequr numrin 122 për renditje në fletëvotim. Ndryshe ky koalicion pra do të jetë i 12-ti në fletëvotim.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka thënë se institucioni që ajo udhëheq është e angazhuar për zgjedhje sipas standardeve evropiane.

“Në emër të KQZ-së dua të garantoj të gjithë pjesëmarrësit në këtë garë se KQZ mbetet e përkushtuar për organizimin e zgjedhjeve sipas Kushtetutës dhe standardeve më të larta evropiane. Vetëm zgjedhjet e lira, fer, demokratike, pa presione janë të pranuara për të gjithë. Ftoj përfaqësuesit e subjekteve politike që të respektojnë Kushtetutën, ligjet në fuqi dhe rregullat e KQZ-së, sepse vetëm duke u angazhuar të gjithë së bashku, arrimë zgjedhje të lira”, ka thënë ajo.

Lexo po ashtu Daka kërkon nga partitë politike të respektojnë rregullat e KQZ-së

Lidhur me këto zgjedhje edhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett, ka drejtuar një mesazh kandidatëve për deputet që kanë garuar për zgjedhjet e parakohshme që mbahen me 6 tetor.

Përmes një shkrimi në Twitter, Kosnett ka thënë se zgjedhjet e lira dhe të ndershme fillojnë me kandidatët.

“Zgjedhjet e lira dhe të ndershme fillojnë me ju. Drejtësia rrjedh nga kandidatët që ndjekin rregullat e zgjedhjeve dhe ligjin”, ka shkruar Kosnett.

Lexo po ashtu Ambasadori amerikan, mesazh kandidatëve për deputetë

Ndërsa Zyra e BE-së në Kosovë është shprehur e gatshme përmes ekipit vëzhgues të monitorojë zgjedhjet nacionale të 6 tetorit në Kosovë dhe kanë kërkuar që gjithë procesi zgjedhor të shkojë në mënyrë të rregullt.

Kryevëzhguesja e EU EOM, Viola von Cramon-Taubadel, anëtare e Parlamentit Evropian nga Gjermania, tha se mbështesin zgjedhje transparente.

“Ky është misioni i pestë i vëzhgimit të zgjedhjeve nga BE në Kosovë që nga viti 2013. Misioni ynë vëzhgon procesin zgjedhor para, gjatë dhe pas votimit më 6 tetor dhe reflekton angazhimin e vazhdueshëm të BE-së drejt mbështetjes së zgjedhjeve transparente dhe gjithëpërfshirëse në Kosovë. Këto zgjedhje i shoh si mundësi shumë e mirë që të gjitha palët që marrin pjesë në zgjedhje ta demonstrojnë angazhimin e Kosovës për demokraci duke udhëhequr një proces zgjedhor të besueshëm dhe gjithëpërfshirës. Transparenca dhe përgjegjësia e plotë nga të gjitha palët e përfshira në zgjedhje mund ta përmirësojnë mirëbesimin publik në procesin zgjedhor. Gjithashtu do të doja t’i inkurajoj njerëzit ta ushtrojnë të drejtën e votës”, ka thënë ajo.

Ekipi bazë prej 9 analistësh arriti në Prishtinë më 7 shtator, dhe 18 vëzhgues afatgjatë u dërguan nëpër Kosovë më 15 shtator për t’i mbuluar të gjitha 38 komunat, thuhet në njoftimin për media. 36 vëzhgues afatshkurtër si dhe një delegacion i anëtarëve të Parlamentit Evropian dhe përfaqësuesve të shteteve anëtare të BE-së në Prishtinë do t’i bashkohen misionit pak para ditës së zgjedhjeve. Gjithsej rreth 100 vëzhgues nga shtetet anëtare të BE-së, si dhe nga Norvegjia dhe Zvicra, do t’i vëzhgojnë votimet dhe procesin e numërimit më 6 tetor.

Lexo po ashtu BE mbështet zgjedhjet transparente dhe gjithëpërfshirëse në Kosovë

Edhe Institucionet të cilat janë nënshkruese të memorandumit të bashkëpunimit për procesin zgjedhor (KQZ, PZAP, PSh, PK dhe KGjK). janë shprehur të gatshme për këto zgjedhje.

Koordinatorja Nacionale për zgjedhje në Prokurorinë e Shtetit, Laura Pula, ka deklaruar se institucioni i Prokurorit të Shtetit, tashmë ka caktuar për secilën prokurori koordinatorët rajonalë dhe do të angazhojë një numër të konsiderueshëm të prokurorëve, ku do të monitorojnë gjithë procesin zgjedhor.
Ndër të tjera, sipas njoftimit, nga të pranishmit është theksuar se vetëdijesimi i qytetarëve për parandalimin e manipulimeve të mundshme të zgjedhjeve është mëse i rëndësishëm, pasi që në rastet ku mund të ketë pretendime për keqpërdorime të votave, Policia e Kosovës dhe Prokuroria e Shtetit do të veprojnë menjëherë.

Lexo po ashtu Mbahet takimi koordinues lidhur me përgatitjet e institucioneve për zgjedhjet e parakohshme

Gjithashtu, të pranishmit u pajtuan që t’i bëhet ftesë të gjitha organizatave jo qeveritare, shoqërisë civile dhe mediave që të bashkëpunojnë ngushtë me institucionet e lartcekura, para, gjatë dhe pas procesit zgjedhor.

Më anën tjetër organizata “Demokracia në Veprim” në këto zgjedhje do të ketë 2 mijë e 500 vëzhgues.

Mexhide Demolli-Nimani, drejtoreshë Ekzekutive e organizatës FOL, e cila funksionon në kuadër të “Demokracia në Veprim”, ka thënë se në zgjedhjet e 6 tetorit do të jenë 2 mijë e 500 vëzhgues, të cilët do të njoftojnë për çdo parregullsi.

Lexo po ashtu Në zgjedhjet e tetorit, në terren do të jenë 2,500 vëzhgues

“DNV është duke u përgatitur në këtë aspekt financiarisht. Do të jenë mbi 2 mijë e 500 vëzhgues nëpër terren, kemi edhe vëzhgues afatgjatë që e monitorojnë fushatën zgjedhore. Numri i tyre është shumë i madh, jemi në përgatitjet finale, besoj që do të kemi mundësitë financiare që gjithçka të realizohet sipas planit të paraparë. DnV do të jetë në të gjitha qendrat e votimit, do të ketë edhe ekipe mobile të cilat do të jenë në të gjithë territorin e Kosovës. Aty ku mund të kemi ndonjë parregullsi ku na lajmërojnë vëzhguesit nga terreni, do të ketë edhe call center në Prishtinë, ku do të jenë mbi 100 vullnetarë ku do të pranojnë dhe do të kontaktojnë me gjithë vëzhguesit në terren. DnV përveç monitorimit të zgjedhjeve dhe të fushatës do të monitorojë edhe edukimin e votuesve që e bën KQZ, por të njëjtën kohë do të mundohet t’i nxit votuesit të dalin në zgjedhje, do të kemi një lloj edukimi të votuesve, qofshin votues të ri, por do të japim edhe më shumë informata qytetarëve që ta dinë saktë se ku kanë për të votuar ditën e zgjedhjeve me 6 tetor”, ka thënë ajo.

Ndryshe këto zgjedhje po mbahen për shkak të dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili ishte ftuar nga Gjykata Speciale./Telegrafi/

Exit mobile version