LAJMI I FUNDIT:

“Të luftosh si femër”

“Të luftosh si femër”

Edi Rama është në fushatë. Për kryeministrin e Kosovës nuk do të deklarohet më deri më 26 prill, por për Kosovën dhe kosovarët po. Ai na sqaron se Shengeni Ballkanin nënkupton heqje kufiri midis Shqipërisë dhe Kosovës dhe me këtë sqarim duhet pranuar se i shkeli të gjithë: analistë e banalistë, dijetarë e politikanë në Kosovë. Nuk ka mbet më çka thuhet pas Edit, e tij mbetet e fundit… deri më 26 prill.

“Porsa ta marrin vesh ata të Kosovës, do të kenë kaluar vite dhe do të ketë humbur kohë Kosova”, brengoset ai. Eh, ku të marrim vesh çfarë po bëhet ne, mor Edi. Ne, burrat, na kanë zbritur në kuzhinë, apo guzhinë si i thoni ju andej. Ra një “politikan nga sexhdja”, nga ata që nuk i matë fjalët dhe na mori në qafë. Edhe këtë shkrim nga aty po e shkruaj. Direkt nga kuzhina. Laj një pjatë e shkruaj dy radhë…! Nuk di të gatuaj.

Ky na sqaroi me të njëjtin entuziazëm se burrat e kanë vendin në odë e gratë në kuzhinë. U bë luftë e madhe Edi, këndej. Kush shpëtoi, përfundoi me përparëse në bel dhe dorëza në duar. Në rregull, nuk është se nuk jam përpjekur me e përshtatë guzhinën, me e ba pak odë e pak… ashtu. Kam vënë edhe një televizor (të mençur) në murin përballë sa për të përcjell fushatën andej dhe për të kuptuar nga fushata e juaj se çfarë po ndodhë vërtetë, këndej. Por, pajtohem se çështja e dialogut nuk përcillet nga kuzhina, sado të jetë e “mençur” teknologjia. As e “shengenëve”.


Gjithsesi, Edi ka të drejtë: derisa të marrim vesh neve në Kosovë se me marrëveshjen Rama/Vuçiq/Zaev, Kosova do të kalonte pa pasaportë kufirin mes Shqipërisë dhe Serbisë në Morinë, atë në mes Serbisë dhe Maqedonisë në Han të Elezit dhe me Serbinë nuk do të kishte kufi fare, do të shkojnë vite. Kemi humbur shansin e fundit që pa viza të udhëtojmë në Shqipëri, Maqedoni, Serbi, Mal të Zi. Ku kupton politika kosovare, sidomos burrat. Ky faj është kryesisht i ish-opozitës kosovare, sepse miqtë politikë të Edit në Kosovë e kishin kuptuar me kohë dhe po e shtynin përpara (Mini)Shengenin ashtu si ishte. Por, ngeci. U duk i parakohshëm pikërisht për disa imtësi rreth kufijve. Për shembull, Serbia thoshte se po e heq kufirin me Shqipërinë, ndërkohë një kufi i tillë nuk ekziston askund. Në Morinë ka kufi mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Edi gjithnjë ka ide se ku e kanë vendin kosovarët, ndërsa Shefqeti ka ide të ndryshme, sidomos se ku e kanë vendin burrat. Debati është në kulm ndërkohë që edhe rreth këtij shkrimi mund të shfaqen dilema se çfarë hyn këtu Shefqeti, kur është Edi dhe anasjelltas? Eh, çfarë de?

Derisa Edi na quante gomarë dhe idiotë vetëm se nuk mendonim si ai, sepse nuk i kuptonim idetë dhe diplomacinë e fshehtë, ndërsa Shefqeti na pat çmendur me informata se Nëna Terezë edhe mund të mos ketë shkuar në Parajsë pavarësisht humanizmit të saj këtu në tokë, ne kemi mbetur krejtësisht në mjegull në këtë pandemi, me një qeverisje të re, me fqinjë të njëjtë dhe me lindjen e njëjtë (gjeopolitike).

Dilema jonë kryesore ishte ku e kemi ne vendin si Kosovë dhe sidomos ne si burra. Na patën kompleksuar vajzat. Derisa vajzat tona e kapën majën botërore dhe po e ngrinin flamurin tonë aty ku as ëndërr se kishim pa, dikush duhej të kujdesej për shtëpinë. Vajzat tona treguan se dinë të këndojnë, e besa edhe të luftojnë. Kështu, është e kuptueshme përse në emër të kombit tonë, mashkullorë, kosovarë, reagoi vet Shefqeti. Me na mbrojt. Me na e tregua vendin. Sikur Edi në politikë.

Personalisht jam në telash. Odë nuk kam, ndërkohë që edhe dhoma e ditës lidhet disi (in)direkt me kuzhinë. Nuk e kam praktikuar të shkruaj nga këtu, më herët, sepse këtu vija vetëm të ha. Nejse, edhe për çaj. Tash, këtu përfundova pas debatit familjar, si staf esencial. Kështu, bazuar në parimin “Nëse nuk di me gatue, enët din me i la”, u dashtë me i përvjelë mangët. Me këndua nuk këndova, por ndër dhëmbë përmenda emra dijetarësh që nuk arrijnë të mbajnë gjuhën dhe deklarohen publikisht për gjëra që s’u përkasin. Definitivisht duhet të zbulojhet ndonjë mënyrë me i la enët apo me gatue online. Televizor i mençur, shporet i mençur, enëlarëse e mençur…. krejt të mençur, krejt të kënaqur. Prej ode me i la enët, Shefqet. Me këndue nuk këndojmë. Jo prej inati, por prej kompleksi. Edhe aty na kanë mundur gratë.

Pra, po e kuptoni. Për krejt këtë situatë i ka fajet… po e dini kush. Kurrë nuk e kuptoj se çfarë i hyn në punë atij të merret me çështje familjare dhe të rregullojë me Sheriat çështje të cilat nuk i ka kapur direkt as Kushtetuta apo ligji. Edhe Edi po hyn në teren të huaj. Çka i hyn në punë atij me e heq kufirin me Serbi kur edhe ashtu me të nuk ka kufi dhe duhet të kalojë nëpër Kosovë për të shkuar në Beograd. Ose nëpër Mal të Zi.

E pse nuk luftuat për të drejtat e juaja, do të na pyes ndoshta Edi. E si të luftohet me vajzat or burrë. Nuk e ke dëgjuar atë thënien tashmë të famshme: “Të luftosh si një femër”. Kjo ka dalë nergut për vajzat e Kosovës. Jo burrë, hajt se tash edhe ashtu kuzhina dhe oda janë bashkë në të shumtën e rasteve, veç se nuk quhen ashtu…