LAJMI I FUNDIT:

Të gjithë për Gruevskin, unë për dadën Tape

Maqedonia po përgatitet për dy ngjarje të mëdha këtë vit. Ngjarja e parë e madhe për nga rëndësia, janë zgjedhjet e parakohshme që sipas gjitha gjasave do të mbahen këtë verë, dhe ngjarja e dytë e madhe, ende më e madhe sesa e para, është regjistrimi i popullsisë. Edhe pse sipas renditjes, e dyta duhet të jetë primare edhe në aspektin e implementimit kohor, por edhe praktik, prapë se prapë, në këtë shtet, parimisht shikohen interesat e grupit individual, e më pastaj edhe të atij kolektiv. Pas një presioni të thellë mediatik dhe partiak, çështja e regjistrimit të popullsisë u shty. Edhe shpërbërja e parlamentit të Maqedonisë me vendim të koalicionit qeveritar mund të shtyhet deri me 10 prill. Të gjithë rrugët e këtyre ngjarjeve çojnë kah rizgjedhja e Gruevskit për ‘vali’ të këtij vendi.

Para disa ditëve u mbajt edhe takimi i liderëve të partive politike, ku pas takimit, shumica e liderëve dolën me deklarata dhe vlerësuan takimin sipas pikëpamjeve të tyre. Pozita e akuzon opozitën se në këtë takim, kanë ardhur të koordinuar për të vepruar kundër interesave të Gruevskit, ndërsa opozita e kundërshton pozitën se ky takim është edhe një plan i radhës i Gruevskit se si ta qes jashtë loje Branko Cërvenkovskin.


Parimisht opozita ka të drejtë për gjykimet e tyre pas këtij takimi. Në mënyrë të koordinuar u mundua që të nënvleftësohet opozita dhe indirekt e direkt të bëhet presion për nxjerrjen jashtë loje të opozitës, duke theksuar Cërvenkovskin dhe Selmanin. Qysh tash shihet frika e Gruevskit nga Cërvenkovski dhe Imer Selmani.

Andrej Zhernovski iu përgjigj pozitivisht zgjedhjeve të parakohshme në Republikën e Maqedonisë. Ishte e pritur një deklaratë e tillë nga ai dhe partia e tij liberale. Gruevskit në vend që t’i ngushtohet rrethi i veprimtarisë manipulative, atij po i zgjerohet dhe legjitimohet përmes veprimeve të këtilla të partive politike maqedonase dhe shqiptare. Partia e Ali Ahmetit vendosi që të qëndroj në qeveri deri në zgjedhjet e parakohshme. Ky qëndrim i kësaj partie ka dy interpretime që mund të janë të sakta ose të gabuara.

Qëndrimi i parë ka të bëjë me gabimin e partisë së Ali Ahmetit për të qëndruar në këtë moment në qeveri nëse do të dëshironte përsëri të fitonte shumicën e elektoratit shqiptarë. Bojkoti i BDI në këtë momente do të ishte një plus i madh për atë parti para elektoratit, dhe do të kishte ndikim pozitiv tek votuesit që përsëri të i zgjas pushteti kësaj partie. Unë jam i bindur që në BDI ka shumë personalitete që e dinë fortë mirë këtë gjë, por duhet të ekzistoj një arsye pse ky mendim nuk është marr parasysh.

Dhe qëndrimi i dytë që më shumë ngjan në supozim sesa në realitet, ka të bëj me frikën e BDI për manipulime në zgjedhjet e parakohshme nga ana e koalicionit qeveritar. Prandaj edhe vendosën të qëndrojnë deri në zgjedhjet e parakohshme, që ato t’i organizojnë bashkërisht dhe të mos ketë hapësirë Nikolla Gruevski për manipulime. Edhe ky qëndrim është i arsyeshëm, por mendimi im është se BDI do të ishte në pozitë më të mirë, po qe se do të bojkotonte qeverinë tash, dhe të shndërrohej në opozitë duke ia nxjerrë në shesh të gjitha të zezat VMRO-DPMNE-së në kampanjën parazgjedhore.

Aktualiteti po tregon se të gjitha rrugët po çojnë kah Gruevski, por rruga ime ideologjike dhe politike nuk është në këtë drejtim. Ajo është në një drejtim krejtësisht të kundërt. Ajo rrugë është e ndërtuar me një milion halle dhe brenga. Atje nuk ka pazarllëqe, e as pretendime karrieriste. Por është rrugë zemrash. Edhe nëse tërë Maqedonia do të votoj për Gruevskin, unë do të votoj për dadën Tape.

Dada Tape është heroinë që nuk mund të gjendet nëpër ballinat e gazetave, e as nëpër intervistat televizive. Atë nuk mund ta gjeni as në reklamat parazgjedhore. Dada Tape ishte gruaja e agës Shaban, komshiut tim të parë. E ndjera e shihte dritën time të ndezur tërë natës duke u humbur nëpër libra, dhe mëngjesi im ishte i këndshëm me ajranin e Dadës Tape. Shpesh herë më thoshte: “O bir, do të prishen sytë, pusho pak natën, dhe lexo ditën se është më mirë”. Ajo nuk kishte asnjë ditë shkollë, por shkollën e kishte në zemër. Tërë jeta e saj kaloi ndershmërisht duke fituar bukën e gojës në fushë së bashku me agën Shaban. Po, favoriti im në këto zgjedhje është Dada Tape dhe shumë dada të këtilla që punojnë për këtë popull pa asnjë fije interesi të kësaj bote.