Që nga inkuadrimi në Superligën e futbollit të Kosovës, klubi futbollistik Malisheva, ka qenë ndër skuadrat më të veçanta në futbollin e vendit tonë, pasiqë futbollistët e kësaj skuadre vazhdimisht kanë treguar angazhim që skuadra e tyre të pozicionohet sa më lartë në renditjen tabelare të Albi Mall Superligës së Kosovës.

Një ndërfutbollistët më të dalluar tek Malisheva, dhe jo vetëm, është Drilon Hazrollaj, i cili në një intervistë dhënë Telegrafit, tha që ky sezon, pavarësisht disa sfidave, ka qenë i suksesshëm.


“Ka qenë një sezon shumë i mirë, por ka pasur disa probleme patjetër, si lëndime e gjëra të tjera, por pavarësisht kësaj kam punuar fort që të rikthehem. Ka qenë një sezon i mirë po ashtu edhe me klubin, pasiqë jemi afër objektivit që të shkojmë në Evropë, dhe shpresoj që në ndeshjen e fundit të sigurojmë Evropën dhe ta fitojmë ndeshjen”, ka thënë fillimisht Hazrollaj për Telegrafin.

Para disa muajsh, u zyrtarizua që ky do të jetë sezoni i fundit që Hazrollaj do ta zhvillojë në Superligën e vendit tonë, pasiqë tashmë ai edhe zyrtarisht është pjesë e skuardës së Rapid Bukureshtit, dhe shpreson që do ta ketë një sezon sa më të mirë me skuadrën nga Rumania.

“Rapidi është një klub i madh me tifozë shumë të mirë, dhe unë jam i lumtur që jam pjesë e tyre, dhe shpresoj që ta kem një sezon sa më të mirë, pasiqë edhe ata presin që të jem në formën time maksimale dhe shpresoj që ta arrij këtë gjë”, shtoi sulmuesi.

Hazrollaj po ashtu ceku se çfarë pret nga sezoni tij i fundit si pjesë e klubit të Malishevës.

“Tani pres që të kualifikohemi në Evropë, këta djem edhe pse do të luajnë pa mua, unë do të vazhdoj t'i shikoj ata, dhe shpresoj që të kualifikohen”.

I pyetur se ku e sheh Hazrollaj veten pas Rumanisë, ai tha që aktualisht është i fokusuar ta tregojë veten tek klubi i ri.

“Së pari jam i fokusuar që ta tregoj veten në Rumani dhe pastaj normal që pres të jetë një hap tjetër të madh, por për momentin jam i fokusuar tek Rapidi që ta bëjë më të mirën time”, përfundoi ylli malishevas. /Telegrafi/

telegrafi sport app