Sylvinho: Jemi të ndërgjegjshëm që kemi një finale, një ndeshje shumë vendimtare dhe e rëndësishme

Kur ka mbetur një ditë nga ndeshja e parë ‘finale’ e muajit nëntor ndaj Moldavisë e vlefshme për kualifikueset Euro 2024, përzgjedhësi Sylvinho dhe kapiteni, Berat Gjimshiti kanë dalë në konferencën për media.
Tekniku brazilian dhe mbrojtësi kuqezi folën për rëndësinë e kësaj sfide, ndërsa vlerësuan maksimalisht edhe ekipin kundërshtar.
Sylvinho u shpreh se skuadra kuqezi do të hyjë në fushë nesër vetëm për të marrë tre pikët, pasi kjo është finalja e parë e këtij muaji dhe një ndeshje mjaft vendimtare për Shqipërinë.
Tekniku i Kombëtares shqiptare nënvizoi se gjendja e ekipit është mjaft e mirë dhe nuk ka asnjë problem, me lojtarët që po punojnë me seriozitetin e duhur për këtë sfidë.
A mund të na favorizojë fakti që Moldavia nesër do të luajë vetëm për fitore? – Në futboll gjithmonë luhet vetëm për fitore, nëse dy skuadra barazojnë do të thotë që asnjë ekip nuk ishte i aftë për të fituar dhe barazimin unë e shoh si pasojë e lojës, jo si një objektiv për skuadrën kur hyn në fushë. Nuk mund të menaxhohet ndeshja në këtë mënyrë duke menduar që na duhet një pikë dhe shkojmë për barazim. Përkundrazi, nesër si ne, po edhe Moldavia do të shkojmë për të marrë tre pikët në këtë sfidë jo për barazim. Sigurisht është një finale për ne dhe karikimi i skuadrës është i duhuri. Moldavia është një ekip shumë i fortë në shtëpi, ka mundur Poloninë, ka barazuar me Çekinë , kështu që do të jetë një ndeshje e vështirë.
Vendi i parë apo inteligjencë taktike? – Luajmë ndaj Moldavisë, një ekip shumë i fortë që nuk ka pësuar asnjë humbje në shtëpi. Asnjë skuadër nesër nuk do të futet në fushë për barazim, në qoftë se do të ndodhi një barazim do të jetë thjesht pasojë e ndeshjes. Përsa i përket të ardhmes nuk mendoj asgjë, jam i fokusuar vetëm te ndeshja me Moldavinë në këto momente. Nuk mendoj se do të ketë ndonjë ndryshim strategjie, do të kemi një kundërshtar shumë fizik, i aftë në lojën në ajër, në goditjet standarte shumë i rrezikshëm. Ne nga ana tjetër jemi një skuadër që nisemi mirë në kundërsulm dhe kemi lojtarë shumë të mirë në fazën ofensive. Në këtë drejtim nuk besoj se do të ketë ndonjë ndryshim, duhet të jemi shumë të kujdesshëm përsa i përket kundërshtarit që kemi përballë sepse siç e kemi thënë kemi një finale për të luajtur nesër dhe e dimë shumë mirë rëndësinë e kësaj ndeshje dhe mendojmë 100% vetëm për Moldavinë. Kemi bërë një rrugëtim shumë të mirë por duhet fituar edhe ndeshja e nesërme.
Gjendja e lojtarëve – Puna në një Kombëtare është e vështirë. Një trajner duhet të presë deri në moment të fundit për të shpallur listën, pasi ka gjithmonë surpriza. Mund të ketë lojtarë që dëmtohen apo probleme fizike, siç na ndodhi me Ajetin, i cili për fat të keq nuk ia doli dot të ishte me skuadrën, por ne morëm Jon Mersinaj. Jemi ok me këtë listë pasi kemi lojtarët e duhur. Mendoj vetëm për këta lojtarë që kam në dispozicion. 60-70% e këtij grupi kanë luajtur thuajse të gjitha ndeshjet deri më tani dhe kanë bërë shumë mirë. Jemi të kënaqur me gjendjen e lojtarëve dhe nuk kemi probleme të tjera.
Shqipëria, surpriza e grupit dhe realitet. Avantazh për ne? – Avantazhi që kemi ne është që jemi në këtë pikë të garës dhe jemi në lojë për t’u kualifikuar. Por, që kur ka nisur fushata kualifikuese jam shprehur që kemi një grup shumë të vështirë përpara. Dhe objektivi ishte që të vinim në nëntor në këto kushte dhe realisht ne jemi në një moment të mirë. Jemi në një grup ku katër skuadra janë në lojë për t’u kualifikuar. Avantazhi ynë është fakti që ne jemi më mirë se kundershtarët në renditje por duhet të kemi parasysh që s’ka mbaruar ende asgjë dhe kemi pikë të tjera për të fituar që na duhen.


















































