Një sulm fizik është raportuar mbrëmjen e së mërkurës në qytetin e Prizrenit, ku një grua ka deklaruar se është sulmuar fizikisht në një lokal.

Lajmin e ka bërë publik vetë e sulmuara përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ku ka rrëfyer përvojën e saj dhe ka kërkuar drejtësi.


Në lidhje me rastin, Policia e Kosovës, përmes njësisë rajonale në Prizren, ka konfirmuar për Telegrafin se ngjarja është raportuar dhe se po zhvillohen hetime për zbardhjen e plotë të saj.

Sipas përgjigjes të policisë, rasti është cilësuar si ""Sulm – Kanosje", ndërsa i dyshuari është larguar nga vendngjarja në drejtim të panjohur.

“Rr. Reshat Karjakdiu. Është pranuar informata se në një lokal, i dyshuari M/SH/K ka sulmuar ankuesen F/SH/K. Kjo e fundit raporton se i dyshuari ka nxjerrë një thikë me të cilën e ka kanosur. Pas incidentit, i dyshuari është larguar në drejtim të panjohur. Njësitë policore i janë përgjigjur rastit, ndërsa lidhur me ngjarjen është njoftuar prokurori kujdestar. Rasti është në hetim”, thuhet në përgjigjen e policisë.

Ndërkohë, ngjarja ka ngjallur reagime në rrjetet sociale, ku qytetarë të shumtë kanë shprehur indinjatën e tyre dhe kanë kërkuar që organet e drejtësisë të veprojnë me urgjencë. /Telegrafi/