Një mega-stuhi ka goditur Spanjën sot, me rrugë që janë shndërruar në lumenj, turistë të bllokuar në aeroporte dhe rrufe që kanë bërë që njerëzit të vrapojnë për të shpëtuar jetën.

Videot dramatike tregojnë makina që luftojnë me rrëketë e ujit të përmbytjes në Barcelonë, ku është lëshuar një paralajmërim për të qëndruar brenda.


Erërat e egra dhe shirat e rrëmbyeshëm shkaktuan gjithashtu kaos në ishullin turistik të Mallorcës, ku fluturimet u anuluan dhe rrugët u bllokuan ndërsa rajoni u godit nga stuhia Melissa, transmeton Telegrafi.

Meteocat, shërbimi meteorologjik i Katalonjës, e vendosi Barcelonën në alarm portokalli, pasi qyteti u godit nga breshëri, shira të rrëmbyeshëm dhe erëra të forta.

Banorëve iu bë thirrje të merrnin 'masa paraprake ekstreme' dhe u këshilluan të shmangnin udhëtimet në zonat e prekura ndërsa stuhia Melissa përfshiu Gadishullin Iberik.

Stuhia e dhunshme shkaktoi ndërprerje të mëdha në Aeroportin El Prat të Barcelonës, me të paktën 47 anulime të raportuara për fluturime vendase dhe ndërkombëtare, raporton agjencia spanjolle e lajmeve La Vanguardia.

Një grafik në faqen e internetit të ndjekjes së fluturimeve Flightradar tregoi një numër avionësh të anuluar këtë mëngjes.

Agjencia e kontrollit të trafikut ajror Enaire tha në një deklaratë për X: “Moti i keq me stuhi të forta në gadishullin verilindor po ndikon në operacionet dhe po shkakton rregullore sigurie në aeroportin ElPrat”. /Telegrafi/