Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës edhe pas më shumë se tre muaj negociatash nuk po arrijnë të formojnë qeverinë e re të dalë nga zgjedhjet nacionale të 6 tetorit.Dështimi për formimin e qeverisë së re nuk po shihet mirë as nga studentët e Universitetit të Prishtinës, një grup i të cilit kanë protestuar sot para objektit të Kuvendit të Kosovës me moton “Boll luajtët me këtë popull”.Studentët kërkuan me këtë rast që partitë fituese të zgjedhjeve të 6 tetorit që t’i anashkalojnë interesat e tyre dhe të mendojnë edhe për qytetarët, duke formuar sa më shpejt institucionet e reja të vendit, për t’i dhënë fund ngërçit politik të krijuar tash e sa kohë.
Grupi i studentëve para objektit të Kuvendit u ndalua nga Policia e Kosovës, por kjo nuk i pengoi ata që të vazhdojnë protestën.
Bekim Ibishi, student në Fakultetin Filozofik, tha se Policia e Kosovës po e ndalë
aktivizimin studentor i cili tenton parandalimin e zbrazjes së Kosovës nga të rinjtë. Ai shtoi se Kosova po rrezikon që të përballet edhe një largim të mundshëm të të rinjve drejt vendeve tjera.
“Prej marsit, çdo i ri që ka mundësi, çdo i dijshëm, çdo njeri që ka potencial Gjermania na e ka dhënë një mundësi, që për t’u kualifikuar në Gjermani, ne do të ikim që të kualifikohemi. Klasa e njerëzve të mirë do të ikë, për këtë arsye edhe vendi është rrugës së kolapsit dhe nëse nuk votohet buxheti do të ketë edhe trazira edhe më të mëdha....”, u shpreh ai.
Në fund studentët vendosën edhe një mbishkrim “Boll luajtët me këtë popull”.Studentët paralajmëruan se nuk do të ndalen dhe se do të vazhdojnë prapë me protesta të tilla.