Studentët e vitit të dytë të Fakultetit Juridik të Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren të enjten kanë vizituar Gjykatën Themelore në Prizren, ku nga drejtuesit e këtij organi janë njoftuar me organizimin, shërbimet, qëllimin dhe misionin.

“Kjo vizitë u organizua me qëllim të thellimit të njohurive praktike të studentëve mbi funksionimin e sistemit gjyqësor në Kosovë”, thuhet në njoftimin e Universitetit “Ukshin Hoti”, raporton Telegrafi.


Aty theksohet se studentët janë pritur nga kryetarja e Gjykatës, Shpresa Emra, dhe gjyqtari, Sami Gashi, të cilët kanë prezantuar strukturën organizative të gjykatës, kompetencat e saj, si dhe mënyrën e funksionimit të departamenteve dhe divizioneve brenda saj.

“Në mënyrë të veçantë, u trajtuan çështje që lidhen me ndarjen e lëndëve sipas natyrës së tyre, rolin e gjyqtarëve dhe stafit administrativ, si dhe procesin e shqyrtimit të rasteve në praktikë”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq Gjykata Themelore në Prizren ka bërë të ditur se “është e hapur dhe e gatshme që të mirëpret të gjitha vizitat me qëllim të informimit të studentëve, dhe edukimit të nxënësve të shkollave fillore dhe të mesme, që shfaqin interesim për organizimin dhe punën e Gjykatës”. /Telegrafi/