Start dëshpërues i Llapit me tri humbje nga tri ndeshje, trajneri Batatina nuk mendon largimin

Llapi ishte një nga klubet që kishte investuar më së shumti në afatin kalimtar veror, por ka pasur një start të keq në këtë fillim kampionati.
Skuadra që drejtohet nga trajneri Tahir Batatina ka pësuar tri humbje në po aq ndeshje dhe është e fundin në tabelë.
Mirëpo, për trajnerin e kësaj skuadre nuk ka vend për shqetësim.
Batatina përmes një publikimi në llogarinë e tij në ‘Facebook’ ka potencuar se skuadra e tij do të rikthehet pas këtij starti negativ.
Ndër të tjerash ai ka qetësuar tifozët e skuadrës së tij duke i premtuar rikthimin e rezultateve dhe vazhdimin e projektit që ka nisur me vëllezërit e tij për klubin nga “Zahir Pajaziti”.
Publikimin e plotë të Batatinës mund ta ndiqni në llogarinë e tij:
“Nëse mendoni se jemi dorëzuar, jeni duke gabuar”. “Unë, skuadra dhe stafi së bashku me kryesinë jemi të pa thyeshëm. Kemi humbur 3 ndeshje, por nuk do demoralizohemi. Futbolli është sfidë për ne, unë jam mësuar me sfida nga mosha e re pasi gjithmonë i kam dashur sfidat dhe gjithmonë i kam kaluar me nder dhe krenari”. “Nuk ka rëndësi, humbje, barazim apo fitore, për mua ka rendësi qyteti dhe qytetarët e Podujevës ku shumë shpejtë do t'i bëjmë krenar pasi nuk jam rastësisht në klubin e qytetit tim dhe projekti im dhe i vëllezërve Batatina është jo i shkurtër por projekt 50 vjeçar për klubin dhe qytetin ku çdo vit do ta ngrisim dhe avancojmë futbollin llapjan në nivele sa më të larta”.

















































