Site icon Telegrafi

Stallone tregon se për çfarë pendohet në veçanti për karrierën e tij

(Foto: PA Images/Alamy /TriStar Pictures)

Sylvester Stallone ka pranuar se është penduar që i ka kryer vet skenat e rrezikshme në filmat e tij, gjë që ka rezultuar në lëndime të shumta ndër vite.

Legjenda e filmave aksion, mes tjerash, iu është nënshtruar pesë operacioneve në shpinë, si dhe një operacioni në qafë dhe shpatull, si dhe ka pësuar lëndime të tjera të shumta gjatë kryerjes së marifeteve të rrezikshme gjatë xhirimeve.

“Mos i bëni vetë marifetet, ky është mësimi”, ka thënë ai për The Times duke theksuar se efektet speciale në filma janë bërë më të rëndësishme se vetë aktorët.

Përveçse i ka realizuar vet skenat e rrezikshme, Stallone më herët ka treguar se një skenë e rrahjes në “Rocky IV” mund ta kishte vrarë atë, pasi gjërat u bënë shumë reale gjatë xhirimeve.

Fansat e franshizës së popullarizuar mund të kujtojnë se në pjesën e katërt, boksieri luftoi me rusin shtatlartë Ivan Drago (i luajtur nga Dolph Lundgren).

Në film, meçi pati pasoja të rënda për Rockyn, i cili përfundimisht u detyrua të tërhiqej, ndërsa edhe në jetën reale gjërat ishin po aq të tmerrshme.

“Në raundin e parë, ku më rrëzoi, ishte e vërtetë. Ai më shtypi dhe nuk e ndjeva në atë moment, por më vonë atë natë zemra ime filloi të fryhej”, ka treguar 76-vjeçari duke sqaruar se kishte marrë dëmtim në perikard (mbështjellësin e zemrës).

“Si në një aksident automobilistik kur gjoksi juaj godet timonin. Presioni i gjakut u ngjit në 260. Ata menduan se do të flisja me engjëjt”, ka rrëfyer 76-vjeçari në nëntor të vitit të kaluar.

Për fat të mirë, Stallone u shërua dhe vazhdoi të luajë në “Rocky V”, “Rocky Balboa”, “Creed” dhe “Creed II”, e shumë filma të tjerë që nuk kanë të bëjnë me sagën “Rocky”. /Telegrafi/

Exit mobile version