LAJMI I FUNDIT:

Spektakël … moti

Spektakël … moti

Nëse shihni parashikimin e motit në një televizion perëndimor apo edhe lindor dhe bëni krahasimin me parashikimin e motit të disa televizioneve këtu, duket se po flitet për dy tema krejt të ndryshme.

Këtu, në prezantimin e motit, mbizotëron jo informacioni për çfarë po ndodh dhe çfarë do të ndodhë, këtu mbizotëron spektakli!

Më shumë se informacioni për motin, që të ndash mendjen se çfarë veshje të duhet për ditën, që të marrësh apo jo çadër me vete, dhënia e motit këtu i ngjan një mini-pasarele, ku një fëmijë (po të ishim anëtar të BE-së do të dënoheshim për shkelje të direktivës evropiane për punësimin e të miturve), flet për presionin atmosferik në të cilën ndodhet në vendi ynë, rajoni dhe më gjerë.


Nëse sheh motin në çfarëdo televizioni perëndimor, gjëja e parë që të bie në mendje është mosha e prezantuesit, pastaj veshja serioze që nuk ka shans të shpërqendrojë dhe, në fund, por jo nga rëndësia, është gjuha e thjeshtë dhe e qartë për motin sot dhe parashikimin për nesër.

Nuk dihet me siguri se kush ka patur idenë gjeniale që moti këtu duhet të kthehet në një spektakël në fund të të cilit gjëja e parë që të shkon në mendje është të marrësh celularin dhe të shikosh vetë nëse kur të dalësh jashtë do të presin “vranësira të ç’rregullta” apo mot me kthjellime!