Spahiu: Berisha, ylli polar i mashtrimit kombëtar

Kreshnik Spahiu e prezantoi këtë program në prani të qindra aktivistëve kuqezi në një nga lagjet bastion demokrat të Tiranës, të cilët, sipas AK-së, kanë braktisur PD-në dhe janë përfshirë në Aleancën Kuq e Zi.
“Shtetasi Berisha gënjeu miliona shqiptarë kur deklaroi se ylli polar i PD është bashkimi kombëtar sepse në këtë program nuk gjen asnjë pikë të prioritetit dhe asnjë fjalë ku të flitet për bashkim kombëtar. Shtetasi Berisha po mashtron shqiptarët nga Preveza në Preshevë për idealin e bashkimit të cilin e ka hequr nga programi i PD që kur përjashtoi Azem Hajdarin nga PD dhe i zuri vendin si kryetar. Gënjeshtra e shtetasit Berisha është 64 mijë km2 aq sa është edhe Shqipëria etnike. Ai gënjeu gjithë kombin për të mos u larguar si tradhtar në këtë pranverë pas një sërë aktesh bashkëpunimi me Athinën dhe Beogradin. Atdheu i shtetasit Berisha është vetëm karrigia e pushtetit sepse ai ka mohuar edhe vendlindjen e tij Vicidolin e Tropojës të cilin ka 23 vite nuk rikthehet të shoh dhe vizitoi shtëpinë ku u lind dhe u rrit. 23 vite vendlindja e tij nuk e pranoi atë dhe ai nuk guxon të kandidojë për deputet në Tropojë”, ka thënë Spahiu para të pranishmëve.
Më tej kryetari i Aleancës Kuq e Zi u ndal tek zhvillimet më të fundit në vend, ku, njëkohësisht me aktivitetin e AK, Sali Berisha po kremtonte 100 vjetorin e formimit te Policisë së Shtetit. “Ai sot është mbledhur me mijëra policë për tu premtuar dhe gënjyer, po sërish nuk merr guximin të kthehet në vendlindje aq sa para dy ditësh nuk guxoi asnjë burracak i PD të merrte pjesë ne përvjetorin themelues të partisë në Bajram Curr, po dërguan një femër që e mbajnë si kukull në krye të parlamentit. Dërguan një grua duke treguar se janë 60 deputetë burracakë”, theksoi Spahiu, transmeton “Zëri”.
Lideri i AK-së, Kreshnik Spahiu, u bëri thirrje aktivistëve të Aleancës Kuq e Zi të punojnë për thithjen e sa më shumë qytetarëve të zhgënjyer nga qeverisja e djathtë dhe e majtë.
“Të gjithë duhet të braktisin PD dhe partitë e vjetra për tu përfshirë në Aleancën Kuq e Zi si e vetmja forcë politike që garanton një shtet të hekurt juridik, një zhvillim të fortë ekonomik dhe një demokraci evropiane të mbështetur mbi një ekonomi nacionale”, deklaroi Spahiu.
Ndër të tjera, Aleanca Kuq e Zi vazhdoi më nënshkrimet dhe anëtarësimet e reja në këtë lëvizje e cila aktualisht numëron mbi 200 mijë anëtarë në rang kombëtar. /Telegrafi/





















































