Sipas sondazheve paraprake, favorit shfaqet koalicioni i majtë i udhëhequr nga Pier Luigi Bersani.

Megjithatë, blloku i ish-kryeministrit Silvio Berlusconi ka një diferencë të vogël dhe gjithashtu shanse për të fituar zgjedhjet.


Koalicionet e kryeministrit Mario Monti dhe partia e komedianit Beppe Grillo, një risi në politikën italiane, nëpërmjet një platforme kundërshtuese dhe ironizuese të liderëve aktualë, pritet të luajnë gjithashtu një rol të rëndësishëm në këto zgjedhje, duke grumbulluar vota të shumta.

Ndërkohë, kundërshtarët e Berlusconit sulmuan tre herë ish-kryeministrin për dhënien e një interviste gjatë së shtunës, pavarësisht heshtjes zgjedhore të imponuar nga ligji.

Këto zgjedhje vijnë në një klimë pesimizmi në Italinë e përfshirë nga probleme të rëndësishme ekonomike. Ekonomia e tretë më e madhe e Eurozonës përballet me një borxh të lartë kombëtar, rënie ekonomike dhe masa të ashpra kursimi.

Këto zgjedhje të përgjithshme janë të parakohshme në Itali, pasi në dhjetor deputetët e bllokut të Berlusconit tërhoqën mbështetjen për qeverinë Monti, duke sjellë rrëzimin e saj.

Pothuajse të gjithë kandidatët pjesëmarrës në këto votime kanë pranuar nevojën e programeve shtrënguese, për të rishëndoshur financat kombëtare, por ish-kryeministri Berlusconi sfidon këtë logjikë, duke premtuar ulje taksash dhe nxitje të mëtejshme për biznesin, si e vetmja mënyrë për të nxjerrë vendin nga kriza ekonomike. /Telegrafi/