Telegrafi

Sot shënohet ‘Dita e Internetit të Sigurt’ në Kosovë

Sot shënohet “Dita e Internetit të Sigurt”, e cila ngjarje shënohet çdo vit me qëllim që të rrisë vetëdijen qytetare mbi përdorimin e përgjegjshëm, të kujdesshëm dhe kreativ të internetit dhe teknologjive.

Sipas një njoftimi për media nga Qendra për Studime të Avancuara FIT thuhet se në fokus veçanërisht janë fëmijët dhe të rinjtë.

“Edhe këtë vit, bashkë me më shumë se 170 vende të botës, Kosova do të shënojë ‘Ditën e Internetit të Sigurt’, që këtë herë do të mbahet me 9 shkurt. Njerëz nga të gjitha anët e globit bashkë do të promovojnë fushatën ‘Së bashku për një internet më të mirë’ përmes aktiviteteve dhe ngjarjeve të shumta”, thuhet në njoftim.

Tutje në njoftim thuhet se Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) do të rekomandojë që më 9 shkurt në të gjitha shkollat e vendit të organizohen aktivitete me nxënësit për të rritur ndërgjegjësimin rreth rëndësisë së internetit të sigurt dhe parandalimit të abuzimit në internet.

“Ashtu si në vitet e kaluara, Komiteti Kosovar për Ditën e Internetit të Sigurt (KKDIS) i udhëhequr nga Qendra për Studime të Avancuara FIT (anëtare e rrjetit ndërkombëtar Safer Internet Day), shënon ditën e internetit të sigurt duke organizuar aktivitete të ndryshme gjatë gjithë javës. Me qëllim që shoqëria jonë të krijojë kushte që fëmijët të kenë përvojë më të mirë në internet, do të zhvillohet një kampanjë vetëdijësuese për fëmijë dhe të rinj të të gjitha komuniteteve. Disa prej aktiviteteve, si debate dhe forume me prindër, mësimdhënës dhe nxënës, do të organizohen në kuadër të projektit të financuar nga Bashkimi Evropian, ‘Së bashku Kundër Abuzimit të Fëmijëve (TACA)’, që po zbatohet nga Qendra për Arsim e Kosovës (KEC) dhe Qendra për Studime të Avancuara FIT”, përfundon njoftimi. /Telegrafi/