Ka dështuar konstituimi i Kuvendit të Kosovës. Propozimi për të formuar Komisionin Zgjedhor nuk kaloi as kësaj radhe.
Pas zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 9 shkurt, Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të konstituohet, pasi partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), nuk po siguron votat e mjaftueshme për të zgjedhur Kryetaren e Kuvendit. Kandidatja e propozuar nga LVV për këtë post, Albulena Haxhiu, nuk ka marrë përkrahjen e nevojshme nga deputetët në asnjë prej 16 seancave të mbajtura deri më tani.
Subjektet politike, PDK, LDK, AAK kanë deklaruar se nuk do ta votojnë Haxhiun për këtë pozitë. Ndërsa, LVV ka deklaruar se nuk do ta ndërrojë kandidaten e tyre.
Seancat janë duke u mbajtur çdo 48 orë, por asnjëherë nuk është arritur kuorumi apo konsensusi i nevojshëm për të votuar udhëheqësen e legjislativit, çka po e mban të bllokuar procesin e konstituimit të Kuvendit dhe formimit të institucioneve të reja.
Telegrafi do të ju mbajë të informuar në kohë reale për zhvillimet në Kuvend.
17/05/2025 11:58-Kusari-Lila: Kërkesa për ndryshim të mbledhjeve s’është shkelje sepse nuk u realizua
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka folur pas dështimit të seancës së 17-të të seancës konstituive.
Ajo tha se po akuzohen për shkelje të Rregullores së Kuvendit, pas kërkesës së kryesuesit Avni Dehari që mbledhjet e deputetëve të mos mbahen çdo 48 orë, siç është përcaktuar aktualisht, por një herë në javë.
Sipas saj, ishte vetëm përpjekje për ndryshim të orarit.
“Kjo nuk ishte shkelje, sepse nuk u realizua. Ishte vetëm një propozim për dakordim mes të gjitha partive”, ka thënë Kusari-Lila.
Ajo po ashtu tha se subjektet LDK, PDK, AAK nuk kanë qëndrim të njëjtë./Telegrafi/
17/05/2025 11:50-Bajrami thotë se refuzuan propozimin e Deharit që seanca konstituive të mbahet një herë në javë
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje, duke e akuzuar për mungesë serioziteti dhe vullneti në procesin e konstituimit të Kuvendit.
Ajo ka bërë të ditur se kryesuesi i seancës që vjen nga VV-ja, Avni Dehari, kërkoi para seancës së sotme që takimet për përpjekje rreth konstituimit të mbahen vetëm një herë në javë, dhe jo çdo 48 orë siç është përcaktuar në Rregullore.
“E shohim si indikacion shtesë që VV-ja nuk është absolutisht e interesuar ta bëjë konstituimin e Kuvendit”, deklaroi Bajrami.
17/05/2025 11:49-Krasniqi: Në kundërshtim me rregulloren, u propozua të mblidhemi një herë në javë
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, pas dështimit të seancës së 17-të me radhë tha se Lëvizja Vetëvendosje nuk e ka ndërmend të bëjë asnjë veprim për të zhbllokuar procesin, që sipas tij, e ka krijuar vetë.
Ai tha se madje edhe deputetët e partisë së parë nuk kanë shkruar as me kohë në seancë, raporton Telegrafi.
“E para, deputetët e partisë që doli e para në zgjedhje, nuk erdhën as me kohë, ju e patë që erdhën me 45 minuta vonesë... Në kundërshtim me rregulloren, që thotë se duhet të mblidhemi çdo dy ditë derisa të konstituohet Kuvendi, ata kërkuan të mblidhemi një herë në javë...Është krejtësisht e papranueshme me bë kërkesë të tillë për me shkel rregulloren me vetëdije, deputetë e republikës së Kosovës... Dhe e dyta kjo tregon se vullneti i tyre nuk është në asnjë mënyrë me tentu me bo zgjidhje, me ecë para”, ka thënë Krasniqi.
17/05/2025 11:22-Për të 17-ën herë dështon konstitutimi i Kuvendit
Ka dështuar sërish konstituimi i Kuvendit të Kosovës.
As në seancën e 17 me radhë nuk pati korum të mjaftueshëm për të formuar Komisionin Zgjedhor, ku do të mundësohet votimi në mënyrë të fshehtë për kandidaten për kryeparlamentare, transmeton Telegrafi.
Seanca u ndërpre, për të vazhduar pas 48 orësh.
17/05/2025 11:15-Nis seanca konstituive e Kuvendit
Ka nisur seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari i ka ftuar në takim konsultativ përfaqësuesit e subjekteve politike.
17/05/2025 10:44-Gashi: LVV e ka detyrë kushtetuese të gjejë konsensus që kandidati i tyre të kalojë
Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, ka deklaruar se është detyrë kushtetuese e Lëvizjes Vetëvendosje që të sigurojë konsensus brenda Kuvendit në mënyrë që të kalojë kandidati i tyre për kryetar të Kuvendit.
“E drejta kushtetuese i ka lindur LVV-së të propozojë kryetarin e Kuvendit sipas rezultatit të zgjedhjeve, prandaj lind edhe detyra kushtetuese që të garantojë një shumicë për votimin e kandidatit ose kandidates për kryetar të kuvendit. Në këtë rast, LVV e ka për detyrë kushtetuese të gjejë edhe konsensusin brenda Kuvendit në mënyrë të kandidati të kalojë”, u shpreh ai.
17/05/2025 10:31-Musliu: Gjendja po bëhet e padurueshme
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu ka deklaruar se gjendja po bëhet e padurueshme për shkak të një personi i cili është i etur për pushtet, derisa ka arrit në shkalla më e lartë e degradimit të shtetit të Kosovës.
Ajo para seancës së Kuvendit, tha se gjendja tanimë po bëhet e padurueshme dhe mediat, qytetarët, e opozita, duhet ta ngrisin zërin sepse heshtja e përgjithshme do të thotë pjesëmarrje në faj.
Sipas saj, shteti i Kosovës nuk e ka luksin që të tolerojë tutje një stagnim të tillë i cili e ka ngulfat Kosovës, qoftë në zhvillimin ekonomik, qoftë në marrëdhëniet ndërkombëtare.
17/05/2025 10:30-Kandidatja për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu arrin në Kuvend
Kandidatja për kryetare Kuvendi, Albulena Haxhiu ishte ndër të parat që mbërrit në këtë institucion për vazhdimin e seancës për konstituimin e tij.
Seanca pritet të fillojë brenda pak minutave.