Kuvendi i Prishtinës do të mbajë sot (27 nëntor) seancë të jashtëzakonshme për mjetet vetjake dhe buxhetin 2026.

Kryeqyteti po përballet me një krizë të jashtëzakonshme financiare, derisa autoritetet komunale po hedhin akuza mbi Qeverinë në detyrë të drejtuar nga Albin Kurti se nuk u kanë alokuar të paktën mjetet vetanake.


Në anën tjetër, ministri Hekuran Murati bëri të ditur të premten e javës së kaluar (21 nëntor) se kanë ndarë 3.2 milionë euro nga thesari, mjete këto që ishin paraparë për muajin dhjetor, raporton Telegrafi.

Me një urgjencë, Kuvendi Komunal i Prishtinës do të mbajë këtë mbledhje në mënyrë që të votohet për miratimin e alokomit të mjeteve vetanake dhe miratimin e buxhetit për vitin 2026.

Në anën tjetër, Komisioni Qendror Zgjedhor ka bërë të ditur se në ora 11:00, do të mbajnë mbledhje, aty ku do të certifikohen rezultatet përfundimtare për raundin e dytë të Zgjedhjeve Lokale, aty ku Përparim Rama, kandidatë nga radhët e LDK-së, doli triumfues përballë Hajrulla Çekut të LVV-së.

Ndonëse ishte paralajmëruar se kjo thirrje për mbledhje të jashtëzakonshme ishte e jashtëligjshme, me certifikimin e kryetarëve nga KQZ, hap rrugë për Përparim Ramën që fillimisht të betohet si kryetar i rizgjedhur i Prishtinës dhe të bëhet po ashtu betimi i asamblistëve të rinj. /Telegrafi/