LAJMI I FUNDIT:

Social-demokracia në udhëkryq historik

Social-demokracia në udhëkryq historik
Ilustrim

Jorgji Kote

Humbja spektakolare e SPO-së së kancelarit Christian Kern në zgjedhjet e pardjeshme të parakohshme në Austri me rreth 27 për qind të votave, duke qenë “rrotë më rrotë me partinë e ekstremit të djathtë FPO, ishte zhgënjimi i dytë i madh historik për social-demokratët e atij vendi, por dhe ata evropianë. Tashmë, pas 10 vjetësh bashkëqeverisje me konservatorët, SPO-ja pritet të kalojë në opozitë, duke ia lënë drejtimin e qeverisë liderit konservator të FPO-së, 31-vjeçarit Sebastian Kurz, deri tani ministër i Jashtëm, dhe partisë së ekstremit të djathtë FPO. Pa dyshim, fituesi i madh i këtyre zgjedhjeve me rreth 31 për qind.

Mirëpo, kjo humbje vjen vetëm tri javë pas disfatës historike të “vëllezërve” të tyre më të mëdhenj gjermanë me vetëm 20,5 për qind të votave, duke kaluar edhe ata në opozitë. Tablonë e bën më të rëndë fakti se këto ishin humbjet më të mëdha në historinë e këtyre dy partive, më të lashtat, si dhe modele/lidere të këtij spektri në Evropë e më gjerë.


Megjithatë, po të ishte fjala vetëm për këtë rast dhe për këto dy parti, ky nuk do të ishte ndonjë kiamet i madh, sepse rotacioni politik në demokraci është dukuri e natyrshme. Por shqetësimi është se këto dy raste të spikatura janë në vijim edhe dëshmi e trishtë e krizës së thellë që ka përfshirë vitet e fundit shumicën dërmuese të partive më të mëdha socialiste dhe social-demokrate në të gjithë kontinentin. Diçka më mirë paraqiten ato në Itali, Portugali, Norvegji dhe Danimarkë, ku janë ende në pushtet, si dhe në Britaninë e Madhe e në ndonjë vend tjetër, ku rreziku i “infektimit” nga “simotrat” e tyre më të mëdha është më i vogël, pasi janë në opozitë prej vitesh.

Kështu, në qershor të po këtij viti, PS e Francës pas katastrofës në zgjedhjet më të fundit presidenciale duket se ekziston më shumë në letër; sipas disa ekspertëve, ajo mund të jetë edhe në prag falimenti financiar, duke u detyruar ndoshta të shesë dhe godinën e selisë qendrore. Problemet e saj të akumuluara prej vitesh plasën gjatë 5 viteve të fundit të presidencës dhe qeverisjes të dështuar të liderit të saj François Hollande, i votuar në masë pesë vjet më parë si “ylli” i social-demokracisë evropiane, por që u venit ende pa nisur të ndriçojë.

Edhe “homologët” e tyre holandezë që kanë qenë vazhdimisht në qeverisje po mbahen në këmbë me shifrën poshtëruese prej vetëm 5,7 për qind. Në gjendje të vështirë janë edhe social- demokratët spanjollë, suedezë, finlandezë etj., për të mos kaluar në Evropën Qendrore dhe Lindore, ku e majta me ndonjë përjashtim në përgjithësi po dobësohet e spostohet gjithnjë e më shumë nga forcat populiste dhe të ekstremit të djathtë.

Në këto rrethana, shqetësimi më i madh është mbijetesa e këtyre partive dhe shmangia e “Pasokëzimit” të tyre. Ky term i referohet pothuajse shuarjes tronditëse të Lëvizjes Socialiste Panhelenike Greke – PASOK, e themeluar në vitin 1974 si sfidë ndaj juntës ushtarake nga politikani legjendar A. Papandreu. Për herë të parë PASOK erdhi në pushtet në vitin 1979, duke drejtuar skenën politike greke deri në vitin 2012. Djali i tij, J. Papandreu eci në gjurmët e të atit dhe u bë shumë shpejt ylli i ri polar i social-demokracisë greke dhe asaj evropiane. Madje ai u zgjodh dhe President i Internacionales Socialiste. Por, në vitin 2014 PASOK u shkërmoqën keq pas shpërthimit sizmik të krizës famëkeqe të borxheve; vetë Papandreu i ri u bë “viktima” e parë dhe më e madhe, duke paguar edhe për gjynahet e paraardhësve të vet e sidomos të “kalemxhiut” socialist Kostas Simitis, korrupsionit dhe mashtrimeve pa fund të qeveritarëve socialistë.

Shkaqet e kësaj krize të thellë, me pasoja serioze edhe për qeverisjen evropiane në të gjitha nivelet e që janë objekt i studimeve dhe analizave të shumta që përmenden shkurt më poshtë.
Ashtu si partitë konservatore, edhe social-demokratët u ndëshkuan nga elektorati për gabimet dhe dështimet katastrofale të viteve të fundit në përballimin e krizave dhe sfidave serioze, sidomos ato të azilit, emigracionit, sigurisë, terrorizmit ndërkombëtar etj. Por, ndëshkimi për social-demokratët ishte më i rëndë për shkak të disa specifikave madhore.

Para së gjithash, gjatë viteve të fundit ata kanë humbur vazhdimisht terren në fushën e lojës politike; “Rruga e Tretë ose e Mesme” e iniciuar në fillim të viteve 2000 nuk dha rezultatet e pritura. Kryesorja, ndryshe nga konservatorët që kanë pasur dhe ende kanë më shumë mundësi dhe hapësira për të lëvizur e për të bërë aleanca nga e djathta, jo vetëm me liberalët bashkëpunues por tashmë edhe me ekstremin e djathtë, duke i “rrëmbyer” atij sa më shumë terren, siç ndodhi në Austri, social-demokratët e kanë pasur pothuajse të pamundur të lëvizin apo hapen më majtas. Sepse atje janë të majtët tradicionalë që nuk “tunden” nga istikamet ideologjike, të Gjelbërit kokëfortë, dhe tashmë forca populiste të majta, si Ciudamos në Spanjë, Syriza në Greqi, apo dhe lëvizje të gjera gjithëpërfshirëse centriste si “En Marche” e presidentit Macron në Francë etj.

Për pasojë, krahas terrenit, forcat populiste dhe të ekstremit të majtë/djathtë kanë bërë pothuajse tërësisht “pronë” të tyre edhe tematikën e fushatave zgjedhore, duke e kufizuar atë radikalisht te azili, frika dhe urrejtja ndaj të huajve, emigracioni dhe terrorizmi. Për pasojë, social-demokratët nuk kanë arritur të bindin në fushëbetejat elektorale me temat e tyre të jetës së përditshme me të cilat vite e dekada më parë thithnin gjysmën e elektoratit. Këto shqetësime dhe alternativat e tyre për shkollat, kopshtet e fëmijëve, taksat, mbrojtjen sociale etj., nuk kanë “ngjitur” e ca më pak ta ndezin apo elektrizojnë situatën. Këtë gjë e kanë bërë më së miri forcat populiste dhe të ekstremit të djathtë, duke luajtur e manipuluar me frikën ndaj azilit, islamizmin, sigurinë, independentizmin etj., kryesisht me perceptime publike dhe jo alternativa bindëse. Kështu, në Gjermani dhe Austri, logoja social-demokrate për drejtësi sociale dështoi, madje keqazi, përballë zhurmës për siguri që propagandoi e djathta.

Veç sa sipër, social-demokratët janë shtrënguar të veprojnë në një klimë, mjedis dhe sfond politik e social shumë të disfavorshëm për ta. Dihet se ata janë shquar dhe e kanë në ADN-në e tyre moderacionin, arsyen, logjikën, tolerancën dhe përpjekjet për akomodimin e pozicioneve të sa më shumë palëve për zgjidhjen e situatave delikate. Mirëpo, në fushatat zgjedhore të lartpërmendura ndodhi e kundërta, duke e çuar debatin publik, politik dhe atë mediatik në një radikalizim absurd të paparë. Kjo u pa më shumë në Austri, ku fushata dhe lufta ndërmjet dy partive më të mëdha e në bashkëqeverisje për disa dekada rresht u mbush plot llum, baltë, shpifje dhe fabrikime të shumta. E ndodhur mes dy zjarresh djathtiste dhe pa aleat, SPO-ja austriake e pati tejet të vështirë, për të mos thënë të pamundur të manovronte, edhe për shkak të disa gabimeve të tyre politike, duke rënë në llumin e lartpërmendur. Koniunktura ekonomike dhe sociale tejet e pafavorshme e viteve të fundit, me vazhdimin e mbylljes së uzinave e fabrikave, e shoqëruar me dobësimin e sindikatave që kanë qenë dhe mbeten shtylla dhe baza solide e social-demokracisë. Tipike janë zonat minerare dhe industriale të Ruhrit në Nord Rhein Vestphali në Gjermani. Mirëpo ky land ka qenë gjatë 70 viteve të fundit “kryeqyteti” i social-demokracisë gjermane, siç e ka cilësuar Willy Brandt. SPD-ja gjermane pësoi goditjen paraprake fatale në zgjedhjet rajonale në muajin maj pikërisht aty, në “fushën” e vet. Kështu po ndodh edhe në rajonin e Valonisë në Belgjikë, të njohur për qymyrin, çelikun, tekstilet etj., ku edhe pozitat e social-demokratëve belgë kanë filluar të tronditen seriozisht, 70 vjet pas mbizotërimit absolut të tyre dhe gjetkë.

Këto dhe të tjerë faktorë kanë çuar në acarimin e krizës ekonomike dhe financiare që e kanë zënë “gafil” të majtën evropiane dhe pa alternativa të përpunuara bindëse përballë të djathtës. Edhe aty ku kanë qenë në pushtet gjatë viteve të fundit, social-demokratët kanë vazhduar me teprim e pa kritere shkurtimin e fondeve, prekjen e sigurisë sociale etj., duke zhgënjyer në masë edhe vetë elektoratin e tyre. Këtë e ka shfrytëzuar mjeshtërisht sidomos e djathta ekstreme. Pasojë tjetër e rëndë e këtyre krizave është papunësia kronike, që në shumë vende ka kapur shifrën e frikshme 25 për qind, sidomos te të rinjtë dhe gratë në qytete të mëdha. Tipike janë Portugalia, Greqia, Italia dhe Spanja, ku me gjithë premtimet e bujshme, qeveritë social-demokrate nuk kanë arritur të bëjnë ndryshimin e premtuar. Kjo ka sjellë, veç të tjerash, shtimin e indiferencës dhe dëshirës për votim në favor të tyre nga mbi 50 për qind e rinisë dhe grave, që jo sa duhet kanë qenë objektiv i social- demokratëve.

Këta dhe të tjerë faktorë, së bashku me prirjet e reja demografike, kanë bërë që të mos ketë më bastione të sigurta të së majtës, siç ndodhte më parë, kur fitorja ishte përherë e sigurt.
Shkaku i fundit – por jo më pak i rëndësishëm – i udhëkryqit historik ku ndodhet social-demokracia evropiane është mungesa e liderëve karizmatikë, me vizion dhe guximtarë politikë. Në një kohë kur programet e partive kanë prirjen për t’u afruar drejt njehsimit, pavarësisht nuancave, vendimtar për fitoren në zgjedhje është bërë roli, statura dhe personaliteti i liderëve të partive. Social-demokratët evropianë kanë vërtet kryetarë, por jo liderë, e ca më pak burra shteti që krijojnë profilin e tyre në vite betejash zgjedhore, për të mos thënë për dekada dhe jo brenda një stine politike. Kështu, Martin Schulz, sfidanti i Merkel në zgjedhjet e 24 shtatorit, ndonëse ish-president i Parlamentit Evropian në Bruksel, në Gjermani ishte pothuajse i panjohur, sepse ka qenë vetëm kryetar i një minibashkie që pakkush ia dinte emrin. Ishte e pamundur që ai të krijonte bindje masive e të tërhiqte shumicën e elektoratit gjerman brenda pak muajve fushatë. Çfarë kontrasti me legjendarin e social-demokracisë gjermane dhe botërore Willy Brandt!

Përpara se të bëhej Kancelar në vitin 1969 pas dy betejave të humbura zgjedhore ndaj legjendës të së djathtës, Konrad Adenauer, Brandt ishte veç lider i SPD-së, Kryetar i Bashkisë së Berlinit kur u ngrit muri dhe ministër i Jashtëm. Kështu ka ndodhur me pasardhësit e tij Helmut Schmidt dhe Gerhard Schroder, të cilët kanë mbajtur poste të larta drejtuese në SPD në qeverinë rajonale e atë federale. E pra, tashmë, ndihet shumë mungesa e liderëve karizmatikë që të paktën t’u afrohen gjigantëve të tillë social-demokratë, si Mitterand dhe Delors në Francë, Tony Blair në Britani, Gonzales dhe Zapateros në Spanjë, Suarez e Guteres në Portugali, Vranitzky në Austri, Olaf Palme në Suedi, Stoltenverg në Norvegji, Rasmusen në Danimarkë etj. Një model i mirë konsiderohet lideri i social-demokratëve italianë, Matteo Renzi, ashtu si dhe ai i laburistëve britanikë, Jeremy Corbyn, që i ka rritur ndjeshëm kuotat zgjedhore.

Këta liderë janë sot më të nevojshëm se kurrë, jo vetëm për të parandaluar “pasokëzimin” e mëtejshëm të social-demokracisë, por mbi të gjitha për ta drejtuar atë me karizmin dhe vizionin e tyre drejt rrugës së suksesit. Këtë e tregoi qartë në zgjedhjet e pardjeshme në landin e tretë më të madh gjerman me 8 milionë banorë në Niedersachsen, kryeministri i tij social-demokrat Stephan Weil. Edhe pse në këtë gjendje tejet të zymtë, ai lëshoi rreze shprese me fitoren më të madhe të 20 viteve të fundit në këtë land elitar, duke i shkaktuar CDU-së së Merkel humbjen më të rëndë që nga viti 1949. /GSH/

Në trend

Më shumë
Nëse ndeshja me Rumaninë nuk sjell tri pikë: Rivalët e mundshëm të Kosovës për play-off, mes tyre edhe Shqipëria

Nëse ndeshja me Rumaninë nuk sjell tri pikë: Rivalët e mundshëm të Kosovës për play-off, mes tyre edhe Shqipëria

Përfaqësuesja e Kosovës
Pasagjerët të tmerruar, gjërat filluan të bien në dysheme – pamje të aeroplanit të Scandinavian Airlines, teksa po përballej me turbulenca në ajër

Pasagjerët të tmerruar, gjërat filluan të bien në dysheme – pamje të aeroplanit të Scandinavian Airlines, teksa po përballej me turbulenca në ajër

Botë
Rreziku potencial nga imitimet, Perutnina Ptuj njofton për shenjat identifikuese të mishit të freskët të pulës

Rreziku potencial nga imitimet, Perutnina Ptuj njofton për shenjat identifikuese të mishit të freskët të pulës

Ekonomi
Çoçaj: Ferat Shala më kërkoi t’i bashkohem SHIK-ut, me siguri drejtor ka qenë Kadri Veseli

Çoçaj: Ferat Shala më kërkoi t’i bashkohem SHIK-ut, me siguri drejtor ka qenë Kadri Veseli

Drejtësi
Kurti për çështjen e gjuhës shqipe në Maqedoni të Veriut: Pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese

Kurti për çështjen e gjuhës shqipe në Maqedoni të Veriut: Pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese

Lajme
U zgjodh gruaja më e bukur në botë, për një detaj hyri në histori

U zgjodh gruaja më e bukur në botë, për një detaj hyri në histori

Femra
Kalo në kategori