Situata në Viti pas reshjeve të dendura të shiut gjatë natës

Pas reshjeve të pandërprera të shiut gjatë natës, situata në Komunën e Vitisë paraqitet stabile dhe të gjitha rrugët janë të kalueshme, megjithëse autoritetet apelojnë për kujdes të shtuar në disa segmente të rrugëve, veçanërisht në fshatin Ramnishtë dhe në rrugën Skifteraj–Radivojc.
U.d. i Drejtorisë për Shërbime Publike dhe Emergjencë, Naser Haziri, ka bërë të ditur se Njësia e Zjarrfikësve ndodhet vazhdimisht në terren dhe, në bashkëpunim me stafin e drejtorisë, po ndërmerr masa për të parandaluar përkeqësimin e situatës.
“Intervenimi është kryer edhe në rrugën Viti–Letnicë, ku për shkak të reshjeve kishte ndodhur shembja e dheut. Pas ndërhyrjes së shpejtë, rruga është e qarkullueshme dhe situata është nën kontroll”, ka theksuar Haziri.
Autoritetet komunale bëjnë thirrje për kujdes të shtuar gjatë lëvizjes, veçanërisht në zonat ku uji ka depërtuar në rrugë, ndërsa ekipet kompetente mbeten në gatishmëri për çdo situatë eventuale. /Telegrafi/



















































