LAJMI I FUNDIT:

Sindikata kërkoi shkarkimin e tij, drejtori Ejupi: Autoriteti i Aviacionit Civil është shënjestër e grupeve të caktuara që kur lajmërova keqpërdorimet

Sindikata kërkoi shkarkimin e tij, drejtori Ejupi: Autoriteti i Aviacionit Civil është shënjestër e grupeve të caktuara që kur lajmërova keqpërdorimet

Bujar Ejupi, drejtor i përgjithshëm i Autoritetit të Aviacionit Civil (AAC), ka reaguar ndaj Shoqatës Sindikale të Punëtorëve të Autoritetit të Aviacionit Civil (SPAAC), e cila thotë se drejtori kundërligjshëm ka hartuar vetë rregulloren e brendshme të këtij institucioni. Ejupi thotë se AAC është shënjestër e sulmeve nga grupe të caktuara, që nga momenti kur i raportoi keqpërdorimet në institucionet përgjegjëse.

Shoqata Sindikale e Punëtorëve të Autoritetit të Aviacionit Civil (SPAAC) ka reaguar për veprimet e fundit të drejtorit të përgjithshëm, Bujar Ejupi lidhur me hartimin e rregullores së brendshme të AAC-së.

Sindikata e AAC-së kundërshton projekt-rregulloren e brendshme, të cilën drejtori Ejupi e ka dërguar në MPB për aprovim, si dhe gjithë procesin që i ka paraprirë këtij dokumenti.


Në reagimin e tij, Ejupi ka renditur punët që janë kryer në AAC që nga marrja e pozitës së drejtorit të përgjithshëm të AAC-së dhe ato që planifikohen të kryhen.

Kurse për raportet e EASA dhe ICETRA, tha se janë keqinterpretuar qëllimisht pasi në to flitet vetëm për nevojën për përmirësim të vazhdueshëm dhe vazhdim të reformave të nisura në AAC.

Sindikata e punëtorëve të AAC-së kërkon shkarkimin e drejtorit Bujar Ejupi
Lexo po ashtu Sindikata e punëtorëve të AAC-së kërkon shkarkimin e drejtorit Bujar Ejupi

“Reagimet negative ndaj kërkesës sime për ligjshmëri, si drejtor i institucionit të AAC, shfaqin nivelin e ndikimit dhe rezistencën që përballen përpjekjet e mija për të sjellë transparencë dhe ndryshim pozitiv në këtë institucion dhe çojnë në largimin e qëllimshëm të fokusit nga aspekti profesional mbikëqyrës i AAC-së drejtë temave fiktive dhe tendencioze lidhur me pozitën time si drejtor i përgjithshëm”, thuhet në reagimin e Ejupit, transmeton Telegrafi.

Reagimi i plotë i Bujar Ejupit:

Autoriteti i Aviacionit Civil është shënjestër e sulmeve nga grupe të caktuara që nga momenti që unë, si Drejtor i përgjithshëm, kam gjetur keqpërdorime në AAC dhe i kam lajmëruar ato tek institucionet përgjegjëse. Pse po ndodhin tani sulme ndaj AAC-së dhe çfarë ka ndodhur që nga emërimi im si Drejtor i Përgjithshëm?

1) AAC së bashku me ASHNA kanë arritur të hapin linja ajrore me Shqipërinë, dhe të kapërcejnë të gjitha pengesat për hapjen e hapësirës ajrore me dy linja të reja që lidhin Kosovën dhe Shqipërinë. Hapja e këtyre linjave pritet të publikohet në Eurocontrol, dhe rruga ajrore me Evropën përfundimisht do të shkurtohet me rreth 30 minuta në çdo fluturim.

2) AAC, së bashku me ASHNA-në për herë të parë do të kenë qasje në sistemin evropian EGNOS, i cili ishte kërkuar prej 10 vitesh. Këtë muaj pritet që EASA të bëjë një vizitë inspektuese që shënon fillimin e qasjes së shtetit tonë në këtë sistem evropian shërbimi.

3) Rastet e sigurisë së aviacionit po trajtohen seriozisht në AAC. Është kërkuar hetim për mbi 110 incidente të raportuara të prishjes së Radarit, dhe mbi 43 humbje të energjisë në pajisjet jetike të navigacionit ajror (Rasti nën hetim nga KHAIA). Në fillim të këtij viti, në hapësirën ajrore të Kosovës kemi pasur një incident të rëndë ajror, ku në dy avionë është aktivizuar sistemi TCAS kundër ndeshjes së këtyre dy avionëve në mes vete. Rasti është raportuar në KHAIA dhe ky rast do të hetohet pa pengesa dhe pa e kursyer askënd.

4) AAC ka raportuar thyerjen e ligjit për tarifat e kerozinës, si pasojë e së cilës janë përfituar mbi 2 milionë euro nga operatori ekonomik. Rasti është paraqitur menjëherë nga AAC në komisionin PPP, pasiqë kërkohen hapa të menjëhershëm për të ndaluar thyerjen e ligjit shumë vjeçar në ANP. AAC për herë të parë ka adresuar hapjen e tregut dhe ka sinjalizuar keqpërdorimin me monopolin e shitjes se kerozinës në aeroport.

5) Menaxhmenti i AAC rishtazi ka vërejtur se tarifat tejet të larta të aeroportit nuk ishin aprovuar asnjëherë në të kaluarën nga AAC. Pra, edhe pse AAC-ja është e detyruar me ligj të miratojë dhe rregullojë tarifat e aeroportit, këto tarifa nuk janë trajtuar asnjëherë nga AAC, si pjesë e përgjegjësisë së Departamentit për Rregullim Ekonomik

6) Inspektorëve të AAC-së u është kërkuar të ndalin zhvillimin e aktiviteteve për operatorët që ata mbikëqyrin, për të shmangur konfliktin e interesit.

7) AAC ka raportuar në Policinë e Kosovës dhe në Departamentin e Krimeve Ekonomike për manipulimin/falsifikimin e licencave të kontrollorëve të trafikut nga zyrtarë të AAC-së.

8)AAC ka anuluar kontratën e qirasë së AAC-së dhe ka kaluar në objekt shtetëror, duke kursyer buxhetin shtetëror në vlerë të mbi 40 mijë euro në vjet.

9) AAC ka raportuar në prokurori rastet e keqpërdorimit të dhjetëra mijëra euro, pagesa që sipas kontratës i takonin qiradhënësit dhe që janë paguar nga AAC.

Ndryshe, sindikata e Punëtorëve të Autoritetit të Aviacionit Civil mbron fuqishëm argumentin se drejtori aktual nuk e ka kredibilitetin që të dizajnojë të ardhmen e AAC-së dhe të ekspertëve brenda saj për shkak të keqmenaxhimit të organizatës të vërtetuar me mosmiratimin nga Kuvendi i Kosovës të dy Raporteve Vjetore të Punës së AAC-së. /Telegrafi/