Sindikata e Punëtorëve të Prishtina Parking, ka mbajtur protestë para hyrjes së ndërmarrjës, për plotësimin e kërkesave të tyre.
Disa nga kërkesat e punëtorëve ishin: rritja e pagës dhe shujta ditore në vlerë prej pesë euro, transmeton Telegrafi.
Valon Sogojeva, udhëheqës i sindikatës së punëtorëve të Prishtina Parking, për Telegrafin deklaroi se ata nuk do të ndalen deri në plotësimin e kërkesave të tyre.
“Problemet e punëtorëve janë jashtëzakonisht të mëdhaja, paga vazhdon e njejtë pa rritje dhe asgjë. Prandaj, edhe protesta është thirrë për rritje page dhe shujta prej pesë euro. Ne do ti vazhdojmë të gjitha rrugët ligjore për arritjen e qëllimeve tona. Ne mendojmë që jemi në rrugën e drejtë, kërkojmë kompenzim për punën që jemi duke e bërë në terren, për sakrificën që jemi duke e bërë në terren për qytetarët e komunës së Prishtinës dhe nuk do të ndalemi deri sa të arrijmë të na i plotësojnë kërkesat që i kemi, do të vazhdojmë me greva e me protesta”, tha ai.
Ndër të tjera, ai tha se puntorët kanë punuar duke u kërcënuar dhe pa pagesë e cila asnjëherë nuk u është kompenzuar.
“Punëtorët e Prishtina Parkingut kanë punu edhe pa pagesë hiç, para katër vjete, një entuziazëm i madh i punëtorëve dhe një vullnet i madh në shërbim të qytetarëve, pa paga të cilat nuk janë kompenzu kurrë. Është folë që kanë me u dhënë parat por nuk janë kompenzu, pastaj kemi fillua punën si kontrollor me ato telashet tona, me shqetesimet që kemi si kolegët të rrahur, të kërcënuar”, tha ai.
Sipas Sojeves, rritja e pagës është e domosdoshme pasi që me rritjen e çmimeve dhe orarin e zgjatur, paga që kanë tani është e papërballueshme.
“Tash është rritë orari i punës nga gjashtë orë në tetë orë, dhe me rritjen e orarit dhe të çmimeve është e papërballueshme rroga. Nuk kemi as ujë, nuk kemi as vende ku mundemi me shfrytëzu për nevoja fiziologjike. Prandaj, është e domosdoshme rritja e pagës për me mujtë me funksionu si duhet përndryshe jemi të detyruar ne me e gjetë një zgjidhje atëherë ne i ikim përgjegjësisë dhe punës dhe shkaktohet kaosi”, tha ai. /Telegrafi/