Sindikata e Policisë sot në takim me Sveçlën

Sindikata e Policisë së Kosovës sot pritet të zhvillojë takim me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin, kryetari i Sindikatës së Policisë, Imer Zeqiri.
"Po sot e kemi takimin e caktuar", ka thënë Zeqiri
Ndërkaq, Policia e Kosovës dhe Sindikata e Policisë kanë protestuar para disa ditësh, ku kanë paraqitur 14 kërkesa, që kanë të bëjnë me përmirësimin e kushteve të punës.
Më poshtë janë kërkesat e paraqitura të Policisë së Kosovës:Përmirësimi i kushteve, veshmbathje, mjete të punës, objektet policore dhe pajisjet tjera; Rrezikshmëria për policët të jetë permanente dhe të mos varet nga një vend, dhe shtesat të jenë 25 deri 50 përqind e pagës bazë dhe të formohet komisioni i cili do të bëjë kategorizimin e shtesave; Përfshirje e njësive të caktuar në tregun e punës; Ligji për pensionim në moshën 55 vjeçare; Sigurimi jetësor dhe rritja në fondin shëndetësor; Invaliditeti, policë të cilët janë lënduar gjatë kryerjes zyrtare; Përfshirja e stafit civil në shtesat për punë specifike; Shujta ditore për të gjithë pjesëtaret, jo në mënyrë selektive; Pagesa e udhëtimit të atyre që udhëtojnë larg; Shtesat për fundvit, për ata që kanë treguar performance të mirë gjatë vitit; Rikthimi i përvojës së punës siç ka qenë, dhe njohja e shkollimit; Të rikthehen tri paga përcjellëse për ata që pensionohen; Të lejohet një pagë për policët që mund të kenë një rast vdekje në familje; Përkujdesje për mirëqenien e pjesëtarëve të policëve, për ata që kanë rënë gjatë detyrës zyrtare. /Telegrafi/


















































