LAJMI I FUNDIT:

Si të mbijetojmë si kompani Startup në Kosovë?

Si të mbijetojmë si kompani Startup në Kosovë?

Driton S. Bejtullahu

“Fiton ai që e mban më së shumti frymën nën ujë”, është shprehja që e kam dëgjuar shpesh gjatë viteve. Si fakt, qëndron. Por, nuk është faktori kryesorë që çon drejt suksesi. Sepse, nuk duhet nisur qysh në fillim me idenë e dështimit apo fundosjes.


Pozicionimi në treg kërkon kohë dhe nuk duhet pritur rezultate qysh në ditët e para. Një Startup kompani duhet të bazohet më shumë në thënien “Nuk shkohet në mal pa sëpatë”, që besoj se është arsyeja kryesor për qëndrueshmërinë e një biznesi.

Shumica e Startup kompanive zgjedhin një model biznesi në bazë të “…po ka punë filani” apo “kompanitë kanë nevojë për produktin tim”. Nga aspekti ekonomik, pajtohem se kërkesa e rrit ofertën, por futja në biznes ka shumë faktorë tjerë që duhet konsideruar. Nëse keni vendosur të adaptoni një model biznesi ekzistues, atëherë pyetjet që duhet bërë vetës janë si: A ju përshtatet ai stil i jetës dhe nëse po, a jeni të kualifikuar ta bëni atë punë!? Apo, nëse ju mendoni se tregu ka nevojë për shërbimin apo produktin tuaj, keni parasysh që klientela juaj qëndron aty sot duke minimizuar shpenzimet dhe paranë e tyre e shpenzon vetëm nëse nuk ka rrugëdalje tjetër apo nëse do t’i kushtoj më lirë.

Pra, është me rëndësi ta bëni një analize të mirëfilltë të tregut, dhe pas identifikimit të rreziqeve, t’i minimizoni apo pranoni ato. Është i domosdoshëm krijimi i një Plani të Veprimit (Business Plan) si strategji të cilën do ta ndiqni në vazhdim.

Me përfundimin e universiteteve në vendin tonë nuk marrim aftësi për të menaxhuar një biznes dhe shumica nga ne kemi përfunduar duke gjetur vend punë. Stabiliteti financiar na e zvogëlon dëshirën për t’u pavarësuar dhe ky është një nga shkaktarët pse ne nuk kemi vetëbesim. Pra, financat janë faktori tjetër që duhet të kemi parasysh si kompani Startup. Është mirë që të dedikoni një buxhet fillestarë për kostot operative dhe pagat e stafit së paku për një vit. Nëse kërkoni stabilitet financiar, atëherë është mirë që ju mos të filloni fare si sipërmarrës dhe ta gjeni një punë.

“Pasi ta keni mprehur sëpatën mirë”, përgatituni për tregun në Kosovë i cili vërtet është një “mal” i cili ka shumë të papritura, për shkak se zhvillimi i tregut dhe konkurrencës është i egër dhe jo i natyrshëm. Shumica e kompanive dhe institucioneve kosovare nuk aplikojnë ndonjë sistem menaxhues dhe nënshkrimi i një kontrate me ta nuk ju garanton sukses. Shpesh, artikulimi i kërkesave të tyre nuk është në përputhje me dëshirat që i kanë në realitet dhe kjo mund paraqesë pengesa nëse nuk i keni specifikuar të gjitha detajet në kontratë. Është mirë që së paku të aplikoni një sistem menaxhues i cili do t’ju shërbejë si kornizë e menaxhimit të projekteve dhe komunikimit me klientë. Këto praktika mund t’i gjeni duke aplikuar ndonjë ISO standard për industrinë që operoni. Bëni mirë që mos të fokusoheni vetëm në tregun vendor për të ofruar shërbimet tuaja.

Statistikat tregojnë se mbi 66 për qind e kompanive Startup dështojnë në 1-3 vitet e para të themelimit. Gjeni një model biznesi i cili është unik dhe i përshtatet kohës, si p.sh. shërbimet e IT-së, arkitekt, kontabilist dhe disa profesione tjera që janë të kërkuara nga shumë vende të Bashkimit Evropian dhe krijimi i një modeli të biznesit për shërbime në distance është zgjidhje e duhur. Duhet të keni parasysh se mënyra se si ne punojmë sot po ndryshon me zhvillimet në globalizim, teknologji, rregullore dhe demografi; dhe këto do të ndikojnë në mënyrën se si do të punojmë në të ardhmen. Këto zhvillime globale duhet t’ju bëjnë të mendoni ç[r mënyrën se si ju i qaseni tregut dhe klientelës në përgjithësi.

Zhvillimi i teknologjisë është duke kontribuar në automatizimin e shumë proceseve dhe kjo do të rezultojë me zëvendësimin e fuqisë punëtore. Është mirë të fokusohemi në aftësitë e buta (Soft Skills) të cilat nuk cenohen nga Intelegjenca Artificiale (AI) dhe automatizimi i proceseve.

Thonë: “Pamja nga lart është më e mirë” dhe ia vlen të përballeni me sfidat dhe vështirësitë që do t’i hasni gjatë rrugës për krijimin e një biznesi të qëndrueshëm. Pra, mbijetesa si biznes i ri në Kosovë mund të krahasohet me një ecje nëpër bjeshkë, ku ju duhet të keni kondicion që mos të ktheheni mbrapa; duhet të jeni të përgatitur për të papriturat; kushtet atmosferike dhe rreziqet potenciale.

(Autori është themelues/CEO i kompanisë “Be Consulted”)