Si manifestohet leukemia te fëmijët? – flet Selimi
Leukemia është një sëmundje malinje e gjakut që mund të prekë edhe fëmijët dhe shpesh shfaqet me simptoma të dukshme, të cilat prindërit nuk duhet t’i neglizhojnë.
Pediatrja-hematologe, Flora Selimi, ka treguar se si manifestohet kjo sëmundje dhe cilat janë shenjat paralajmëruese që kërkojnë vëmendje të menjëhershme mjekësore.
Gjatë një interviste në podcastin “Shëndeti në rend të parë”, e përkrahur nga United Hospital, Selimi theksoi se simptomat klinike të leukemisë janë mjaft të dallueshme, duke filluar nga lodhja e pashpjegueshme deri te ndryshimet fizike në trupin e fëmijës.
“Një fëmijë që ka sëmundje malinje dhe dyshohet në leukemi është fëmijë i lodhur, i zbehur, nuk ka aktivitet fizik të shtuar. Kur i thonë fëmijës që të ecë pak më gjatë ai ndalon-pushon, nuk mund të ecë shumë gjatë. Të leukemia e kemi dhe temperaturën febrile që është mbi 38, që zgjatë për një kohë më të gjatë. Pastaj kemi rritjen e gjëndrave limfatike që mund të jenë të dukshme, në qafë, nën sqetulla. Pastaj kemi rritjen e organeve të brendshme siç është mëlçia, shpretka. Krahas kësaj janë dhe ndryshimet që mund të jenë me koagulimin e gjakut. Fëmija gjak derdh nga hunda, ka epistaksë, apo që i themi gjakderdhja nga hunda, apo në lëkurë në formë të mavijosjeve, ose në ekstremitetet e poshtme, ose çdo kund në trup. Janë gjakderdhje që nuk janë të provokuara, por spontane", ka thënë Selimi. /Telegrafi/






























